Berisha: Do ndërhyjmë në sheshin “Skënderbej”, Bashkia po i humbet identitetin

Kryeministri paralajmëron pezullimin e punimeve, për t’i thënë ‘stop’ shkeljeve ligjore të Bashkisë së Tiranës
Kryeministri Sali Berisha u shpreh se ekzekutivi do të ndalojë punimet e Bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”. Shefi i ekzekutivit, përmes një konference për shtyp tha se “Edi Rama duhet të reflektojë, pasi në të kundërt, qeveria do të ndërhyjë”. “Sheshi “Skënderbej” nuk mund të ndërtohet sipas planit të ofruar nga Bashkia e Tiranës pasi humbet identitetin”. Projekti duhet të jetë objekt i diskutimeve më të gjera të grupeve të specializuara dhe studiot urbanistike dhe arkitekturore duhet të thonë fjalët e tyre. Gjithashtu plani duhet t’i nënshtrohet diskutimit të qytetarëve të Tiranës dhe në të gjitha qarqet akademike”, u shpreh kryeministri. Berisha theksoi se shpreh shqetësim ndaj qëndrimit që kryebashkiaku Edi Rama po mban ndaj punimeve në sheshin “Skënderbej”. Sipas tij, qeveria nuk ka asnjë dëshirë dhe disponibilitet të marrë kompetencat e pushtetit vendor, por e konsideron sheshin “Skënderbej” si krye sheshin e vendit dhe është e disponueshme të kontribuojë për rikonstruksionin e sheshit. “Qeveria ime e konsideron sheshin dhe bulevardin si asambël të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve të shpallur rreth 10 vjet më parë nga qeveria socialiste”, tha kryeministri Berisha, duke shtuar se “vendimi për ta cilësuar sheshin si monument kulture është marrë nga vetë Rama”.
...