Shkatërrohet banda, vrau për të grabitur
Korçë/ Policia prangos 12 persona
Ditë e suksesshme ka qenë ajo e djeshmja për policinë e Korçës, e cila ka vënë në ranga 12 perona, me precedentë të rëndë penalë. Midis të arrestuarve,janë edhe anëtarët e një bande grabitësish me armë, deri edhe me pasojë vdekje, e cila ishte shndërruar në tmerrin e zonës
Burime të kësaj policie bënë të ditur se, nga ana e strukturave të Hetimit të Krimit të Drejtorisë të Policisë Qarkut në bashkëpunim me Strukturat e Parandalimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Korçë, dje, pas një periudhe pune intensive u bë e mundur finalizimi i planit operacional të koduar “Pojani” nga i cili është bërë e mundur zbulimi, dokumentimi dhe vënia përpara përgjegjësisë ligjore e grupit kriminal të përbërë nga M. R., 17 vjeç, Blerim Berberi, 25 vjeç dhe Nerton Felah, 24 vjeç, të tre lindur e banues në Pojan. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer një serë veprash penale të realizuara në disa fshatra të Komunës Pojan të cilat janë vjedhje me armë në bashkëpunim me pasojë vdekjen e shtetasit Nexhat Gega, ndodhur në fshatin Pojan të rrethit Korçë, në datën 25. 03. 2010. Këtë vepër penale e kishin kryer edhe në disa raste të tjera tashmë të zbardhura e dokumentuara nga Policia e Korçës.
Këta shtetas dyshohet se janë dhe autore të disa vjedhjeve me arme të ndodhura në Qafën e Zvezdës në vitet 2004, 2005, për të cilën po kryhen hetime të mëtejshme.
Nga ana e policisë së Korçës, janë prangosur dje edhe disa persona të tjerë, Zalmir Qyteti, Ardit Elezi, Endri Myslli, Spartak Lloshi, Bujar Xhambazi, Ervis Qeraxhi, të dyshuar si autorë të disa veprave penale, si shpërndarje lëndësh narkotike, vjedhje me dhunë, kontrabandë, plagosje etj.
Po dje, nga shërbimet e policisë së Korçës është bërë e mundur edhe kapja e tre persona të shpallur në kërkim të cilët janë, Artan Guma, i akuzuar për vjedhje në bashkëpunim, Roland Rozani, i akuzuar për dezertim nga ushtria, si dhe i Admir Tikno, i akuzuar për vjedhje.