Ndryshimet e detyruara të Thaçit, trukimet në qeveri nuk mbulojnë dot krizënNga "Faktori Plus" Riformatimi i qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi duket se ka pasur qëllim kryesor të siguroje stabilitetin e votimeve nga partnerja e saj në
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Ndryshimet e detyruara të Thaçit, trukimet në qeveri nuk mbulojnë dot krizënNga "Faktori Plus"Riformatimi i qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi duket se ka pasur qëllim kryesor të siguroje stabilitetin e votimeve nga partnerja e saj në koalicion Lidhja Demokratike e Kosovës. Ndryshimet u bënë të nevojshme, disa muaj më parë pas zgjedhjeve lokale, kur u duk se kriza qeveritare u shfaq papritur në prag të derës. LDK kishte zhvilluar një fushatë agresive në Kosovë përmes kandidatit fitues për Prishtinën, Isa Mustafa, dhe kjo, rrezikonte të kthehej në linjë politike për LDK, linjë e cila çonte në rënien e qeverisë.
Për 24 orë, u duk se qeveria u rrëzua, por gjithçka ishte një test. Hashim Thaçi, premtoi riformatim të kabinetit dhe javën që shkoi duket, se u përpoq të rimodelonte problemet brenda LDK-së me ndryshimet e bëra. Lutfi Haziri dhe Bujar Bukoshi, janë dy emrat e rinj, me një identitetit të qarte politik brenda LDK, që po përfshihen në qeveri. Të dy kritike dhe mospajtues me zotin Thaçi, ata duket se janë kthyer në epiqendër të debatit politik në Kosovë.
Media thuajse nuk po merret fare me problemet brenda partisë së Thaçit, me ministrat e hequr apo të pa hequr të tij, por vetëm me LDK-në. E gjitha kjo, rrezaton një përpjekje, për të krijuar një debat artificial, rreth riformatimit të qeverisë.
Riformatimi u bë javën që shkoi. Ministrat e larguar janë Zenun Pajaziti, Arsim Bajrami, Idriz Vehapi, Valton Beqiri, Alush Gashi dhe Nakibe Kelmendi, ndërsa ata që hyjnë në qeveri janë Bajram Rexhepi, Edita Tahiri, Bleran Tavileci, Besim Beqaj, Lutfi Haziri, Bujar Bukoshi dhe Haki Demolli.
Ajo që bie në sy, është, se në qeverinë e re, po hyjnë figura të vjetra politike me peshë si Bujar Bukoshi, kryeministri i parë i Kosovës prej vitit 1990, Bajram Rexhepi, kryeministri i parë i Kosovës së çliruar pas vitit 1999 dhe Lutfi Haziri ish-zëvendëskryeministër, në qeverinë e përbashkët te LDK me partinë e zotit Haradinaj.
Debatin kryesor, e ngjall prania në qeveri e zotit Bukoshi. Bujar Bukoshi, ka qenë për një kohë të gjatë, i aneksuar brenda LDK-se dhe përfshirja e tij e fundit në grupin parlamentar të LDK, ishte një veprim me gjysme zemre. Por duket, se ujërat i trazoi Isa Mustafa, kryetari i Bashkisë së Prishtinës. Mustafa, ka qenë ministër Financash i Bujar Bukoshit dhe njihet si një mbështetës i tij.
Shfaqja e tij e forte ne fushatën e fundit elektorale kundër qeverisë së zotit Thaci, duket se ka rikthyer vëmendjen ndaj këtij identiteti të ri politik brenda LDK-së.
Në komentet e tij të para, Bukoshi është përmbajtur, duke konsideruar LDK-ne, si shtëpinë e tyre të përbashkët, të cilën duhet ta forcojnë. Ai po ashtu ka bërë thirrje për reforma të forta në shëndetësi dhe në shtetin ligjor në Kosovë.
Sidoqoftë, debati ka mbetur ende rreth të rejave, që do të sjellë ky kabinet. Një kritik i njohur i qeverisë në Kosovë, Halil Matoshi, ngre shumë pikëpyetje për këtë koalicion.
Po ashtu Blerim Shala, një kolumnist i njohur, tashmë nënkryetar i partisë së Haradinaj, thotë, se reformimi i qeverisë së Kosovës, do të përshpejtojë deformimin e pushtetit të Kosovës, degradimin e demokracisë në Kosovë, do të rrisë dëshpërimin e qytetarëve të vendit dhe do të thellojë procesin e dështimit tonë si shoqëri.
“Nuk ka pasur, dhe këtë e dëshmojnë edhe ata që u ndërruan, një proces të zakonshëm të marrjes së vendimeve në udhëheqësit e PDK-së dhe të LDK-së për riformatizimin e Qeverisë. S’ka pasur as konsulta, as bisedime, propozime dhe sugjerime, në forumet më të larta të këtyre dy partive. Asgjë. Thjesht, të gjithë këta, një mbrëmje kanë qenë Ministra, e në mëngjesin tjetër, janë shkarkuar. Pak a shumë si në Natën e Zanzibarit, me 19 nëntor, 2009. “Demokracia e Zanzibarit” po sundon me Kosovën. Në krye me Hashim Thaçin- Kryeministrin, dhe Fatmir Sejdiun- Kryetarin e Kosovës. PDK dhe LDK, Qeveria dhe të gjitha institucionet e Kosovës, pushteti dhe shteti i Kosovës, janë reduktuar në ujditë, që bëjnë Thaçi dhe Sejdiu. As më pak dhe as më shumë.
Ky s’është gjë tjetër, perpos një deformim i pushtetit në Kosovë dhe degradim i demokracisë. Po na thuhet, midis tjerash, që riformatizimi i Qeverisë së Kosovës, do të na çojë një hap më afër Paktit NATO dhe Bashkimit Evropian. Që Qeveria e Kosovës, në këtë mënyrë, do të jetë më stabile, se kurrë. Që do të ketë thellim të reformave të gjithanshme dhe gjithëpërfshirëse. Që do të ketë përparim të Kosovës, në të gjitha drejtimet. etj.etj. Të gjitha këto i kemi dëgjuar, me siguri na kujtohet të gjithë neve, në janarin e vitit 2008, kur edhe u bë Qeveria e Kosovës e Kryeministrit Thaçi. Ne jemi tani më larg BE-së, sesa kemi qenë në janarin e vitit 2008. Popullariteti i institucioneve të vendit, është shumë më i ulët tani, sesa në pranverën e vitit 2008. Gjendja ekonomike dhe sociale e kosovarëve, sot është më e keqe, se atëherë. Situata në veri të Kosovës, është shumë më problematike, sesa në janarin e viti 2008”,- shkruan Shala në editorialin e tij.
Sidoqoftë, riformatimi i qeverisë së Kosovës, shihet qarte, se është një përpjekje, për mbijetesë politike, deri ne zgjedhjet e radhës. Kryeministri Thaçi, thuajse ia ka arritur, të siguroje energji të reja politike, për të çuar deri ne fund mandatin e tij, si kryeministër. Ndërkohë, brenda LDK-së, nuk ka siguri, se ujërat janë qetësuar, ashtu sikundër, nuk ka asnjë garanci, se dikush brenda saj, ngre aq shumë dallgë, sa të përmbyse qeverinë. E njëjta situatë është brenda partisë së zotit Thaçi, ku të gjithë janë dakord me atë që ndodh, mjafton, që kjo të shtyje qeverinë, drejt një mandati të plotë.