E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do pres certifikimin final

Kryeministri Sali Berisha foli dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së mbi vendimin e Kolegjit Zgjedhor që shpall fitues kandidatin Lulzim Basha.Kreu i qeverisë tha se ai do të presë certifikimin final nga institucionet. “Vendimi u gjet legjitim dhe nuk mund të ishte tjetër, jo pse e them unë këtë, por nuk ka asgjë më legjitime sesa në kohën e duhur të numërosh votat e qytetarëve të tu. Ka një filozofi të lirisë. Filozofia e lirisë dikton numërimin e çdo vote, ku qëllimi është i shprehur qartë. Ka një filozofi tjetër, që mund të mohosh një, qindra e mijëra vota vetëm për të marrë karrigen, por kjo nuk funksionon në një shoqëri të lirë, në një vend të lirë, ndaj dhe unë pres, natyrisht, certifikimin përfundimtar nga institucionet e pavarura kushtetuese të vendit dhe pres me padurim të nisë një partneritet të ngushtë, të frytshëm, me të gjitha qeveritë vendore të vendit”, tha Berisha. Kryeministri tha se pret që krerët e bashkive e komunave të fillojnë punën për të diskutuar së bashku projektet. “Qeveritë vendore janë kryekëput të kushtëzuara në projektin e tyre, dhe ky kushtëzim vjen nga ëndrra e shqiptarëve për një Shqipëri të zhvilluar, për një Shqipëri të zhvilluar aty ku jetojnë qytetarët e këtij vendi. Ndaj dhe pres me shumë padurim që së bashku me qeveritarët e zgjedhur vendorë, t’i shndërrojnë këto vite në vitet e bashkëpunimit më të frytshëm”, tha ai. Sipas kreut të qeverisë, është gati edhe paketa për kalimin në përgjegjësi të 6 taksave të tjera të pushtetit lokal.

Amnistia fiskale

Kreu i qeverisë u bëri thirrje dje qytetarëve të përfitojnë nga ligji për amnistinë fiskale. “Paraja e fjetur është një para e sëmurë, e pasigurt, ndaj dhe i ftoj qytetarët që, në përputhje me ligjin, të shfrytëzojnë të gjitha hapësirat e tij për të mos mbajtur asgjë si para të fjetur. I ftoj biznesmenët, falja është falje, nuk ka asnjë koment për të dhe, siç e keni parë, ajo është bërë e plotë, pa asnjë paragjykim, pa asnjë zemërthyerje, ndaj dhe kërkesa e qeverisë është që t’i përgjigjet ligjit po me kaq përgjegjësi, po me kaq gatishmëri”, tha Berisha.

ERALD KAPRI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›