Leku, më i lirë se kurrë, kush varfërohet nga euro
Një euro u shkëmbye dje zyrtarisht nga Banka e Shqipërisë me 142.55 lekë. Kjo është vlera më e lartë e këmbimit të euros që nga fillimi i tregtimit të saj në tregjet shqiptare.Një vit më parë vlera e euros ishte 135.26 lekë. Ndërsa në fillim të vitit një euro u ble me 138.8 lekë. Pra, në vetëm një vit euro është shtrenjtuar mesatarisht me 6 lekë, ndërsa nga fillimi i vitit me 4 lekë. Shtrenjtimi i euros është një proces që ka filluar që para dy vitesh, kur kriza financiare dha efektet e para. Problemi i kësaj të hëne është se ritmi i ndryshimit. Këtë vit kursi i këmbimit të euros me lekun ka vijuar të shtrenjtohet pa asnjë pauzë. Gazeta boton grafikun e mesatares së kursit të këmbimit për çdo muaji, pra, për pjesën e parë të vitit dhe vihet re se shtrenjtimi është i vazhdueshëm pa asnjë pikë frenimi. Kjo e bën situatën të rrezikshme për shumicën e qytetarëve.
Arsyet
Arsyeja e shtrenjtimit të euros, në ekonominë e tregut, është kërkesa më e madhe se oferta. Pra, tregu vendas ka më shumë kërkesë për euro sesa ka ofertë. Kërkesa për euro vjen pasi shumica e produkteve dhe shërbimeve që konsumohen në vend blihet me euro ose konvertohen në të tilla. Duke qenë se kërkesa ka qenë e njëjtë, të paktën në krahasim me vjet (për të mos thënë se ka pasur ulje për shkak të varfërimit dhe krizës ekonomike), shtrenjtimi i euros bazohet në ulje e ofertës. Në Shqipëri oferta në euro vinte nga të ardhurat që sillnin emigrantët nga disa eksporte dhe nga kreditë në euro. Të tria këto “furnizime” gjatë këtij viti kanë ardhur në ulje. Emigrantë kanë sjellë më pak valutë, eksportet janë ulur (pas bumit energjetik të fillim vitit) dhe më e keqja bankat japin më pak kredi në valutë. Këtu duhet shtuar edhe fakti që bankat këtë valutë të depozituar nga qytetarët shqiptarë, e kreditojnë jashtë vendit në vende të tjera. Pra, bankat jo vetëm që nuk po e ritin ofertën e euro, por po shtojnë kërkesën, pra, konsumin e eurove jashtë vendit.
Kush po humbet
Të gjithë shqiptarët e ndjejnë efektin e kursit të këmbimit. Kush më shumë e kush më pak, pas 6 muajsh nga fillimi i vitit, shpenzojnë më shumë para për të njëjtin konsum. Shumica e mallrave, por edhe ushqimeve gjatë kësaj periudhe të vitit, vijnë nga importi. Të gjitha këto produkte kanë kushtuar më shtrenjtë, sepse janë blerë shtrenjtë jashtë vendit nga tregtarët. Shtrenjtimi i euros ka bërë që importi të jetë më i shtrenjtë dhe si rrjedhojë, edhe çmimi e shitjes. Kështu, në rast se një kilogram oriz është blerë një vit më parë nga tregtarët me 50 cent/euro jashtë vendit, atëherë ai ka kushtuar 67.63 lekë, (një vit më parë më datë 7 qershor 1 euro kushtonte 135.26 lekë). Sot, ky tregtar të njëjtën kilogram orizi duhet ta blejë me 71.27 lekë (një euro dje u këmbye me 142.55 lekë). Pra, me 4 lekë më shtrenjtë, kjo duke mos llogaritur rritje e çmimit të produktit. Kuptohet që tregtari këtë produkt do e shesë rrjedhimisht më shtrenjtë në lekë në tregun vendas. Dhe, nga kjo janë prekur negativisht të gjithë konsumatorët.
Shtresa e dytë që është prekur nga shtrenjtimi i euros janë ata që kanë marrë kredi me euro. Këta të fundit e ndjejnë çdo muaj rritjen e pagesës së kësteve të kredisë. Kështu, në rast se një familje ka marrë kredi për shtëpi dhe ka paguar një këst fiks mujor prej 400 euro, dje ka paguar 57020 lekë. Në janar të këtij viti, për të njëjtin këst kredie, ka paguar 55408 lekë (më datë 7 janar një euro kushtonte 138.52 lekë). Pra, për 6 muaj kredia është shtrenjtuar me 1612 lekë. Dhe këto pra çdo familje i ka paguar për kredinë, duke zvogëluar një shpenzim tjetër. Një vit më parë, më 7 qershor, familja ka paguar 54104 lekë në muaj.
Kush po fiton
Fituesit nga shtrenjtimi i euros janë ata që kanë euro në depozita ose ata që paguhen në euro. Këtu mundtë të futen individët, të cilët e financojnë jetesën me paratë e emigrantëve. Megjithatë, duhet të theksohet se këta individë i shpenzojnë paratë për konsum në vend dhe, rrjedhimisht konsumojnë më shumë para për të njëjtat shërbime.
kursi i kembimit
Muajt Lek/euro
Qershor 136,35
Korrik 136,1
Gusht 136,01
Shtator 136,98
Tetor 138,35
Nentor 138,79
Dhjetor 138,74
Janar 138,66
Shkurt 139,7
Mars 140,19
Prill 141,31
Maj 141,76
Qershor 142,36