E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do të nisë hetimi i zgjedhjeve

Kryeministri nga Himara: Por fletët e votimit nuk do t’i hapim

Hapja e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit vazhdon të mbetet një çështje e panegociueshme për Kryeministrin Sali Berisha. Pas pushimeve në Dhërmi, kreu i qeverisë ka zgjedhur kalanë e Himarës për të argumentuar në një konferencë për shtyp zhvillimet më të fundit politike. Kryeministri shoqërohej nga kreu i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, dhe ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera.

Fletët e votimit

Mazhoranca i qëndron besnike qëndrimit të hershëm të saj, se ngritja e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit do të respektojë germë për germë rezolutën e Parlamentit Europian. Sipas Berishës, hetimi parlamentar duhet t'i përmbahet vetëm rezolutës së votuar në Parlamentin Europian. Fletët e votimit janë një çështje që do të përjashtohen nga komisioni hetimor. Kryeministri Sali Berisha nuk lëviz nga qëndrimi i tij për hetimin e materialeve zgjedhore në kutitë e votimit, me përjashtim të fletëve të votimit.

Komisioni hetimor

"Rezoluta ka përcaktuar qartësisht hetimin e materialeve të votimit dhe ju duhet ta dini, dhe nëse e keni ndjekur seancën, ka pasur ndonjë deputet të thekur të majtë që kërkoi më shumë. Por 547 deputetë europianë votuan për materialet e votimit, të cilat nuk përfshijnë fletët e votimit", tha Berisha. Duke ripërsëritur qëndrimin e tij politik, në lidhje me kauzën e opozitës për transparencë të procesit elektoral të 28 qershorit, Kryeministri Berisha tha se mbetet i hapur në zbatim të plotë të Kushtetutës dhe kornizës ligjore shqiptare. “Të gjitha të tjerat, çka është në kuadrin ligjor, çka është në kuadrin kushtetues, qëndroj plotësisht i vendosur të bashkëpunoj me opozitën", tha Berisha.

Reforma zgjedhore

Kryeministri Berisha është ndalur dhe te reforma zgjedhore, puna për të cilën pritet të nisë me fillimin e sesionit parlamentar të vjeshtës. Ai ka garantuar partitë e vogla si më të pakënaqurat nga hartimi i Kodit Elektoral, se me amendimet e reja që palët pritet t'i bëjnë ligjit për zgjedhjet, zëri i tyre do të dëgjohet. “Unë dua t’ju garantoj se jo vetëm në këto zgjedhje, por, në qoftë se merr në tërësi praktikën time, janë koalicionet dhe gjerësia ndaj kërkesave të partive të vogla. Kështu që unë mbetem plotësisht i hapur dhe i dëgjoj me shumë vëmendje ato, të të gjithë spektrit, të majta e të djathta. Ato janë pjesë e realitetit shqiptar dhe unë e nuk mohoj realitetin”, tha Berisha.

Reforma e “tokës”

Problemi i zaptimit të tokave në mënyrë të paligjshme në bregdet ka qenë një ndër çështjet që Kryeministri Berisha ka diskutuar dje në Himarë. “Problemet qëndrojnë, por edhe qeveria qëndron për zgjidhjen e tyre. Fatmirësisht, me planet rregulluese është krijuar një mundësi e madhe për t’u frenuar ‘pushtimet’ e tokave dhe pastaj një politikë e re urbanistike për të gjithë zonën”, tha Berisha.

Investimet dhe turizmi

Komisioni europian dhe qeveria shqiptare kanë investuar 1 milion euro në kalanë e Himarës për ndërtimin e sistemit të kanalizimeve, rregullimin e rrugicave të kalldrëmit dhe sistemin e ndriçimit. Turizmi është kthyer në prioritetin kryesor të qeverisë “Berisha” gjatë kësaj vere. “Sot, të ardhurat nga turizmi janë të ardhurat më të mëdha dhe që i shkojnë numrit më të madh të qytetarëve të këtij vendi”, theksoi Berisha.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›