E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët “zëvendësojnë"lekun me euron

Zgjerohen produktet e shërbimet që ofrohen me valutën europiane, edhe paga merret në lek

Shqiptarët po e përdorin gjithnjë e më shumë monedhën europiane, euro, edhe pse zyrtarisht kanë paranë e tyre, lekun. Mjafton të vëzhgosh njësitë tregtare ku ofrohen shërbime dhe mallra të ndryshme në euro dhe kupton se eurorizimi në Shqipëri është përhapur me shpejtësi në vitet e fundit.

Duke nisur nga shkollat dhe kurset private, apartamentet, pajisjet elektronike dhe shtëpiake, ofertat për pushime jashtë, veshjet, e deri në bar-restorante, që të gjitha ofrohen me euro, duke zëvendësuar monedhën vendase, lek. Mallrat dhe shërbimet që shiten me euro po përhapen me shpejtësi, saqë nisur nga këto kushte, leku do të zëvendësohet shumë shpejt i tëri nga euroja.
Sipas Bankës së Shqipërisë, faktorët kryesorë që kanë përcaktuar kërkesën e individëve për kredi në valutë janë burimi i të ardhurave në valutë, çmimet e mallrave të blera të shprehura në monedhë të huaj dhe diferenca në normat e interesit.

Ekspertët e lidhin me faktin se produktet që ofrohen me euro janë të importuara dhe për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit, tregtarët preferojnë t’i shesin me valutën që i kanë blerë në vendin e origjinës. Por i pakuptimtë konsiderohet ofrimi i tarifave në euro për shkollat private që japin gjuhë të huaja apo për universitete me pronarë shqiptarë.

Me euro ofrohen tashmë prej kohësh edhe hapësirat e apartamenteve për shitje apo me qira, pas gati 8 vjet dominim të monedhës amerikane, dollar. Edhe pse ndërtuesit i blejnë lëndët e para në lek, produktin final, apartamentin ose objektin e shesin me euro.

E njëjta gjë ndodh me dyqanet e veshjeve, të cilat në artikujt që shesin kanë të stampuar etiketa me çmime në euro dhe ku duhet të bësh konvertime me kurs fiks që të ofron butiku. Këto dhe të tjera shërbime, si kreditë, që konsiderohet një tjetër problem jo pak serioz, i kanë vendosur shqiptarët në pozita të vështira, por që deri më sot asnjë ent shtetëror nuk ka dhënë shpjegime rreth përhapjes së fenomenit “Euro”.

Ekspertët e gjykojnë të gabuar sjelljen e firmave dhe shoqërive private, duke e lidhur me faktin se të ardhurat e shqiptarëve janë me lek, kurse të mirat materiale dhe shërbimet po i blejnë gjithnjë e më shumë në valutën europiane. Megjithatë, sipas tyre, kjo vjen edhe për faktin se Shqipëria është një vend i rrethuar nga shtete që përdorin euron dhe ku tregtia, deri në masën 65 për qind, kryhet me valutën e Bashkimit Europian.

Pak kohë më parë, kur guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani u pyet rreth mundësive që ka vendi për të përdorur euron, përgjigjja e tij ishte: “Ende e largët. Kërkon kohë dhe procedura që zgjasin të paktën 5 vjet, nëse e nisim zyrtarisht që tani aplikimin”. Për t’u futur në zonwn e përdorimit tw Euro-s, vendet duhet të plotësojnë disa kritere që lidhen me aspektin ekonomik.
Si Shqipëria, ashtu dhe vendet e Malit të Zi dhe Kosova e përdorin euron, por në një masë akoma e më të gjerë. Mirëpo kjo për shkak se nuk kanë një monedhë të tyren. Përdorimi i euros nga këto dy shtete konsiderohet i paligjshëm nga autoritetet qendrore të BE-së, për shkak se nuk kanë marrë autorizim. Euron e përdor masivisht edhe fqinji tjetër, Maqedonia, por në vendet turistike dhe kur afrohen të huaj.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›