Maskat terrorizojnë punonjësit e bankës, vjedhin 15 mijë euro

Një punonjëse të bankës NBG i ka rënë të fikët, kur përballë ka parë një person të maskuar dhe të armatosur, i cili ka kërkuar paratë që ndodheshin në banak. Ndërsa arkëtarja është munduar t’i mbledhë me shpejtësi, me qëllim për të shpëtuar nga agresiviteti i dy të rinjve, të cilët mendohen të jenë të moshës 20-vjeçare dhe dje kanë realizuar vjedhjen e 15 mijë eurove. Bëhet fjalë për grabitjen e ndodhur dje në mëngjes në mes të Tiranës, pranë Bllokut të Ambasadave. Kjo është vjedhja e pestë e një banke që ndodh brenda këtij viti në Shqipëri, e të gjitha janë shënuar në kryeqytet. Policia është shprehur se autorët kanë mundur të marrin vetëm 350 mijë lekë, por burimet brenda bankës tregojnë për më shumë, e pikërisht 15 mijë euro. Madje, kjo shumë ka frikësuar edhe një të ri, i cili sapo kishte depozituar po kaq para vetëm pak minuta para se të ndodhte grabitja.
Policia për ngjarjenPolicia e kryeqytetit deklaroi rreth orës 09:15, në Rrugën e Kavajës në Tiranë, pak metra larg postbllokut të policisë së Bllokut të Ambasadave, se është vjedhur një nga filialet e bankës së NBG. “Menjëherë në vendin e ngjarjes shkoi grupi i posaçëm hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, filloi veprimet e para hetimore dhe procedurale. Këto hetime po vazhdojnë të zhvillohen intensivisht për dokumentimin e veprës penale, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nga hetimet paraprake të grupit hetimor rezulton se autorët kanë qenë të maskuar, ku njëri prej tyre i armatosur, të cilët kanë mundur të marrin në këtë bankë sasinë prej 350 mijë lekësh të reja”, deklaroi policia. Sipas të dhënave zyrtare, kjo sasi parash përdorej nga punonjësit e bankës për pagesa emergjente. Por, nga ana tjetër, burime pranë bankës bëjnë të ditur se dje janë vjedhur rreth 15 mijë euro. Megjithatë, kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Të fikët punonjësesSipas dëshmive në vendin e ngjarjes, dy persona, me një motor të vogël, pa targa, ngjyrë gri, janë afruar tek banka dhe kanë parkuar motorin para saj. Punonjësi i shoqërisë së ruajtjes fizike, që kishte në mbrojtje bankën, ka qenë në një karrige poshtë pemëve, përballë portës kryesore. Dy të rinjtë kanë hyrë në bankë dhe një prej tyre është drejtuar tek tavolina përballë derës kryesore, ndërsa tjetri ka qëndruar pranë derës kryesore. Ai që është afruar te punonjësja, ka futur dorën në brez dhe ka mbuluar fytyrën, duke treguar se ishte i armatosur e do të kryente grabitje. Punonjësja e tmerruar ka filluar të nxjerrë paratë që i ndodheshin aty, sipas gjithë procedurave të mësuara nga punonjësit e sigurimit të brendshëm. Ndërkaq, një punonjëse tjetër e bankës, pasi në ato momente nuk ndodhej asnjë klient, ka vënë re se çfarë po ndodhte dhe është terrorizuar, kur i riu i ka urdhëruar që të mos flisnin. Asaj i ka rënë të fikët, ndërkohë që dy të rinjtë kanë marrë qesen me para dhe janë larguar me shpejtësi.
Ndjekja e gjurmëtGjithçka ka ndodhur nën hundën e rojës private, që është vënë në dijeni për grabitjen, vetëm kur e kanë lajmëruar punonjëset e bankës, duke i kërkuar ndihmë për vajzën që i kishte rënë të fikët. Ajo është nisur menjëherë për në vendin e ngjarjes, ndërkohë që alarmi ishte dhënë në polici dhe uniformat blu kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë treguar se dy të rinjtë me motor ishin larguar përmes rrugicave në drejtim të lagjes që ndodhet mes Rrugës së Kavajës dhe “Myslym Shyrit”. Shërbimet e Komisariatit nr. 3, por edhe ato të Komisariatit nr. 2 janë vënë në ndjekje të tyre, por pa arritur t’i kapin. Nga ana tjetër, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe drejtuesit e Policisë së Tiranës si dhe ekspertët e hetimit të krimit. Grupi hetimor ka mundur të fiksojë në vendin e ngjarjes një sërë gjurmësh të lëna nga dy agresorët, që sipas policisë mund të jenë amatorë. Gjurmë të tyre janë gjetur që nga trotuari, dera e bankës, duke krijuar një ide të qartë mbi ta.
Kamerat dhe klientiNdërkaq, banka ka qenë e pajisur me kamera sigurie si jashtë ashtu edhe brenda saj. Punonjësit e policisë kanë konfiskuar kasën me filmimet e ruajtura, ku duken qartë të rinjtë, të cilët realizuan grabitjen, si dhe mënyra e kryerjes së saj. Policia tha se disa prej fotove të shkëputura nga kamerat e sigurisë i janë shpërndarë agjentëve të antikrimit, të cilët kanë qëndruar deri vonë pranë bankës, me qëllim për të zbuluar sa më shumë rreth grabitjes. Megjithatë, vjedhja e bankës, pavarësisht se ka kaluar pa ndonjë incident të rëndë ka shqetësuar klientët. Një prej tyre është paraqitur në bankë pak minuta, pasi është vënë në dijeni se kishte ndodhur një grabitje. Dje në mëngjes, ai kishte depozituar 15 mijë euro në këtë degë banke, por nuk kishte marrë asnjë faturë, kështu që është shqetësuar se paratë e tij nuk ishin regjistruar në kompjuter. Por, më vonë është qetësuar nga punonjësit, të cilët kanë bërë verifikimet dhe ka rezultuar se paratë e tij janë regjistruar në llogarinë përkatëse. Aktualisht, strukturat e hetimit të krimit të Policisë së Tiranës po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
#