Berisha: Do t’i mbështesim studentët me të gjitha format

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, situata po shkon drejt një situate kritike.
Në fjalën e tij në një takim me kryetarët e degëve të PD-së në Tiranë mbrëmjen e sotme, Berisha u shpreh se kriza politike po thellohet çdo ditë.
Ai theksoi se, protesta studentore, brenda një periudhe më pak se dyditore, është shndërruar në revoltën më të fuqishme studentore.
“Kriza e narkoshtetit po thellohet jo çdo javë, por çdo ditë. Revolta studentore në një afat kohor gjithsej më pak se dyditor, faktikisht është regjistruar si revolta më e fuqishme studentore”, u shpreh Berisha.
Ai u shpreh se është regjistruar dhuna më e egër shtetërore e përdorur ndaj protestuesve, të cilët i cilësoi si luanë.
“Është regjistruar si dhuna më e egër shtetërore e përdorur ndaj protestuesve paqësorë, por nga ana tjetër, edhe vendosmëria ekstreme. Nuk kanë parë rrugët dhe sheshet e Tiranës luanë si ata studentë”, tha Berisha
Berisha theksoi se mbi 50 studentë dhe qytetarë janë plagosur gjatë protestave, duke përmendur raste me fraktura në këmbë e femur, si dhe dëmtime në kokë.
Ai tha se persona të tjerë kanë pësuar plagosje në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa disa protestues, sipas tij, janë ekspozuar ndaj sprajit të ariut ose janë goditur me topa uji.
Kreu i PD-së vlerësoi reagimin e studentëve, të cilin e cilësoi si heroizëm të vërtetë.
“Duhet thënë se studentët janë përgjigjur me një heroizëm të vërtetë. Reagimi i tyre lidhet me revoltën e tyre shpirtërore kundër narkodiktaturës”, tha Berisha.
Berisha, deklaroi se opozita do të mbështesë protestën studentore me të gjitha format dhe mundësitë.
Ai theksoi se PD-ja do të vijojë mbështetjen për protestuesit dhe se përballja nuk do të kufizohet vetëm te studentët.
“Ne studentët nuk i lëshojmë, ne do t’i mbështesim ata me të gjitha format dhe mundësitë. Edi Rama nuk do ndeshet vetëm me studentët, do të ndeshet me të gjithë opozitën, me të gjithë qytetarët”, deklaroi ai.
Berisha i kërkoi kryeministrit Edi Rama dorëheqjen dhe u bëri thirrje qytetarëve të angazhohen në mbështetje të protestës.
“Unë në mënyrë më të prerë i kërkoj atij dorëheqjen e menjëhershme. Dhe i bëj thirrje shqiptarëve të angazhohen me gjithë mundësinë e tyre në mbështetje të studentëve për largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij”, tha Berisha.
/gj.m/r.e/