Berisha: Duam referendum popullor për imunitetin
Kryeministri Sali Berisha njoftoi sot personalisht në një konferencë për shtyp se maxhoranca e tij ka në plan ti drejtohet popullsisë së gjerë në një referendum për ti pyetur nëse dëshirojnë apo jo të heqin imunitetin e zyrtarëve të lartë të zgjedhur apo të emëruar.
Në emër të barazisë së qytetarëve para ligjit, maxhoranca vendosi tu drejtohet qytetarëve shqiptarë për referendum popullor për imunitetet, deklaroi Berisha.
Berisha e argumentoi vendimin e tij me faktin që opozita ka refuzuar votimin e heqjes së imunitetit për zyrtarët e lartë dhe se rruga parlamentare që kërkon maxhorancë absolute për ndryshimin e kushtetutës, është e mbyllur tashmë.
Sipas Berishës, maxhoranca e tij e ka kërkuar gjithmonë heqjen e imunitetit. Berisha nuk foli për disa raste nga maxhoranca e tij, ku imuniteti ligjor u përdor në gjykatë për të ndaluar përndjekjen për vepra penale të korrupsionit.
Berisha tha se kushtetuta i lejon maxhorancës të kërkojë referendum. Kryeministri tha se është i ndërgjegjshëm që heqja e imunitetit nuk mjafton për të luftuar korrupsionin. Korrupsioni ka ekzistuar gjithmonë, tha ai. Juristët kanë argumentuar gjatë muajve të fundit se qeveria nuk mundet të bëjë referendum pa marrë fillimisht tri të pestat e votave në parlament ose pa mbledhur 50 mijë firma qytetarësh në një proces të posaçëm që mund të kërkojë shumë muaj përgatitje. Por Berisha deklaroi se neni 155 i kushtetutës i jep të drejtë një të pestës së parlamentit të kërkojë mbajtje referendumi.
Opozita ka deklaruar më herët se qe dakord me heqjen e imunitetit, por kërkonte ta kushtëzonte këtë me zgjedhjen e kryeprokurorit të ardhshëm me tri të pestat e votave dhe jo me shumicë të thjeshtë, siç parashikohet aktualisht.
Në një sondazh në gazeta-shqip.com, mbi 90 për qind e pjesëmarrësve deklaruan se qenë dakord me heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë.
Vijon
Berisha: Duam referendum popullor për imunitetin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip