“Townhall meeting”, Basha: Që sot bashkëvendimmarrje me qytetarët
TIRANË- Ka qenë një ditë ndryshe e fushatës për kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha. Dje, ai ka organizuar një forum të hapur me banorë të kryeqytetit, “Townhall meeting”, një format i ri takimi i aplikuar më së shumti në perëndim. Kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha, ka bashkëbiseduar me qytetarët lidhur me projektin e tij për një qytet europian. Basha i është përgjigjur interesimit të qytetarëve për punësimin, trafikun, infrastrukturën, luftën kundër korrupsionit, sigurinë ushqimore, çmimet, uljen e taksave e deri te politikat e tij për sportin. “Po ndërtojmë një përqasje të re. Afrimin e mendimit, para çdo vendimmarrje, sado sinjifikative, strategjike apo parciale të jetë kjo për qytetin tonë. Ju siguroj, kontaktin e përditshëm në identifikimin e problematikave, në diskutim zgjidhjesh dhe në bashkëvendimmarrje me qytetarët e Tiranës, duke filluar që sot”, - u shpreh Basha. Më pas kanë qenë qytetarët ata që kanë fokusuar pyetjet e tyre, kryesisht në platformën e bërë publike nga Basha. “Edi Rama ka deklaruar se punësimi është politikë e qeverisë, ndërsa ju keni thënë se do të krijoni vende pune, si do të ndodhë?”, - ishte një prej pyetjeve që iu drejtua Bashës nga një qytetar i takimit. “Punësimi është absolutisht, prioritet i qytetit. Është dhe mbetet prioriteti im nr. 1. Strategjia është kjo; Ulja e taksave, fondi i garancive, një rol informativ në tregun e punës, zhvillimi i infrastrukturës. Këto sjellin më shumë para për biznesin, më shumë para për punësimin, më shumë para për rrogat. Dhe dy fusha të tjera, investimi në arsimin profesional, investimi në Tiranën turistike. Këto janë drejtimet e mia kryesore për punësimin dhe të jeni të bindur, kur them 30 mijë të punësuar, e kam peshuar mirë dhe jam i sigurt se si në çdo sfidë tjetër, këtë fjalë që po e jap, do ta mbaj”, - ishte përgjigjja e Bashës. I pyetur nga një tjetër qytetar se ç’mendim kishte për artin dhe kulturën në Tiranë, Basha u përgjigj se brenda planit të ri urbanistik, ai do të gjejë mundësinë për një galeri artesh pamore, për një teatër dhe një qendër multimediale. Sa i përket disiplinimit të trafikut në Tiranë, Basha tha se do të ndërhyhet në dy nivele strategjike, me Unazën e Madhe dhe Tramvajin. “Gjithashtu, mjafton një nënkalim tek ‘21 Dhjetori’, për të prerë një pjesë të mirë të ngërçit që trafiku ka në atë zonë të qytetit. Një ridimensionim i nyjes së trafikut te dogana, ndërhyrja te vendparkimet, është një tjetër ndërhyrje e domosdoshme për të rregulluar problemin e trafikut të rënduar në Tiranë”, - tha ai. Po dje, Basha ka zhvilluar një takim edhe me banorë të Selitës, zonë e cila vuan nga mungesa e investimeve, ndonëse qytetarët paguajnë të njëjtat taksa si në çdo zonë tjetër. “Selita është lënë si një provincë e vogël, s’ka as rrugë të rregulluara, asgjë. Ne i paguajmë tatimet siç paguajnë në qendër të Tiranës, por s’jemi të barabartë”, - shprehu shqetësimin një qytetar. “Çdo centimetër katror që do preket për të ndërtuar rrugë, do të shpërblehet me vlerë tregu. Të jeni të sigurt për këtë. E dyta, kështu në mënyrë arbitrare, s’ka për të ndërhyrë më njeri, e treta, kudo që do ndërhyhet për të bërë një rrugë të re do të merret parasysh edhe zhvillimi i pronës private, që të mos rrini në kasolle ku t’iu zërë çatia. U mor taksa, do jepet shërbimi. Taksat do të thjeshtohen dhe do të ulen. Taksa e pastrimit do të ulet 3-fish, ndërsa taksa e gjelbërimit dhe e tabelës do të hiqet”, - tha Basha.