Berisha-Dule, aktorë të tensionit shqiptaro-grek
Panajot Barka/publicist
-Aksioma e gjithëkohshme në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe ka dy anë. E para provon se kur ato priren nga parimet e mirëkuptimit, bashkëpunimit, respektit në bazë të reciprocitetit pozitiv, atëherë ato japin rezultate pozitive, përfitime reciproke dhe zhvillim të dyanshëm. E dyta ka provuar të kundërtën. Rruga e mesme mbjell mosbesim, rezerva dhe ekuilibra të brishtë që më së shumti janë frenuese. Mbizotërimi sot i instrumenteve të tilla si BE-ja, NATO, KiE-ja, OSEBE-ja etj, imponon pa ekuivok variantin e marrëdhënieve të bashkëpunimit e të mirëkuptimit.Po marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë cilat parime ndjekin? Rasti i fundit, ai i Përmetit, në serinë e rasteve analoge në këtë periudhë tranzicioni, tregojnë se momentet e së kaluarës, të pakta në numër dhe që nuk përbëjnë thelbin e historisë midis popujve, të filtruara përmes dogmave “etnike” përpunojnë një kujtesë konfliktuale të paqenë. Fatkeqësisht ajo vihet në shërbim të interesave të çastit, të politikave të brendshme deri në interesa grupit.
Greqia- Në asetet historike, që nga lashtësia, grekët tregojnë se janë ndoshta populli i vetëm në botë që ekzistencën dhe identitetin e vet i ka mbështetur tek hapja dhe integrimi, tek aftësia që arritjet e tij t’i trajtojë si pronë e gjithsecilit me të drejtën që arritjet e gjithsecilit t’i konsiderojë si të vetat. Edhe themelet e ndërgjegjes së re kombëtare greke, që zënë fill tek epika e “Dhijenis Akritas” kanë këtë brum, ashtu si edhe ideologjia dhe realiteti i revolucionit grek i shek XIX. Në ditët e sotme Greqia është një shtet Evropian në të gjitha parametrat, që (edhe sot në ditët e krizës) përbën një fuqi politike, ekonomike dhe kulturore me vulën e vet e të BE-së. Në raport me Shqipërinë, politika permanente e fqinjësisë së mirë dhe e marrëdhënieve të mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe përfitimit reciprok, të përfaqësuar nga shtetit grek, është e vërtetë se ndesh në segmente politikëbërëse jo zyrtare apo me interferenca në politikën zyrtare. (Shpesh, në mënyrë të qëllimshme mediat dhe bibliografia shqiptare, por edhe Tirana Zyrtare, ngatërrojnë politikën zyrtare greke me qëndrimet e këtyre qarqeve). Këto segmente, në momente të caktuara mund të arrijnë t’i imponohen përkohësisht politikës zyrtare.(Rasti i Përmetit mund të përdoret si fakt). Shkaku kryesor i aksionit të tyre mbetet minoriteti etnik grek në Shqipëri. Shpesh ata abuzojnë me sensibilitetin e skajshëm grek për të drejtat e minoriteti grek, pa lejuar të bëhen kalkulimet e duhura, (për mosdije, qëllimisht apo edhe për interesa personale e të grupit) midis historisë dhe realitetit të sotëm të këtij minoriteti.
Shqipëria- Nën vëzhgimin e historianëve shqiptarë e të huaj, me në krye gjuhëtarin Çabej, ruajtja e vlerave të veta kulturore dhe identitare lidhen me izolimin. Po këta shkencëtarë na thonë se Perandoria Otomane çoi në ekstrem shtrirjen gjeografike të shqiptarëve. Madje, po sipas Çabejit, edhe këngët epike të shqiptarëve, që ashtu si tek popujt e tjerë evropianë, u ndikuan nga “Dhijenis Akritas”, kanë heronj epikë muhamedanë që mbrojnë trojet e tyre nga të krishterët. (krejt ndryshe nga epika te popujt evropianë apo të paktën tek shqiptarët –arbëreshët e Italisë). Ky status duket se ka përcaktuar si nevojë për vetëpërcaktimin identitar kolektiv, ballafaqimin e përhershëm me të huajt, në radhë të parë me fqinjët. (Nuk ndodh as me komunitetet shqiptare jashtë truallit të shtetit shqiptar). Kjo veçori u kthye në fondament ideologjik nga regjimi komunist ku uniteti i brendshëm social-nacionalist sigurohej sipas dogmës absolute se “të gjithë e kanë halë në sy Shqipërinë”. Është kjo arsyeja që këto produkte ideologjike të izolimit, për shkak të ksenofobisë, siç thotë Oliver Jens Schmitt, veprojnë akoma në Shqipëri. Sipas tij, elitat e vjetra komuniste që ruajtën kontrollin mbi interpretimin e historisë, nuk lejojnë asnjë ballafaqim me shkencën perëndimore mbi këto çështje, as çmitizimin e kësaj lloj historie.
Thelbi i gjithë kësaj lidhet me përpjekjen e mundimshme të këtyre kastave në shërbim të politikës, pse jo dhe zyrtare, për të ruajtur kontrollin mbi njerëzit e thjeshtë dhe “për t’i ndërsyer” ata kundër kujtdo që u kundërvihet interesave të kastave politike apo të grupit. Në këtë rrafsh, antihelenizmi u bë aksioni bazë për vetëpërcaktimin etnik shqiptar që arriti kulmin në festimit e 100-vjetorit të pavarësisë. Pra, në të dy vendet ekzistojnë struktura të caktuara vepruese jashtë politikës zyrtare. Në Greqi, politika zyrtare, është përballë këtyre strukturave, kur veprimi i tyre politik bie ndesh me politikën kombëtare zyrtare. Në Shqipëri, për të justifikuar qëndrimet e veta politike si “shprehje” të vullnetit popullor, politika zyrtare shpesh imponohet me dashje nga veprimi i këtyre strukturave. E përsëritur kjo pothuajse në të gjitha rastet e incidenteve shqiptaro-greke, tanimë është kthyer në risi. (Rasti i Përmetit është i pari në të cilin nuk kemi veprimin e drejtpërdrejtë të strukturave shtetërore, por atyre private). Kjo risi presupozon ekzistencën e një arkivi fiks mediatik dhe njerëz konkretë që përsërisin në monolog, pa ballafaqim dhe në mënyrë bezdisëse të njëjtat gjëra. Rikthim një shekull e ca para, për të kthyer në gogol të shqiptarëve dhe në ankth e frikë të minoritarëve grekë tabunë për ta, atë të Vorio Epirit. Pas kësaj shfaqet shteti i sotëm shqiptar. Në palën greke, strukturat që thamë, abuzojnë në ekstrem e deri në konfuzion me mbrojtjen e të drejtave të minoritetit etnik grek.
Mekanizmi i veprimit
Marrim rastin më të freskët, atë të Përmetit. Pak ditë para incidentit të shëmtuar dhe ekstremisht të dënueshëm të policisë private ndaj objektit të kultit ortodoks, kryetari i PBDNJ-së komentoi mospërfshirjen e partisë së tij në qeverinë “Rama”. Në lidhje me këtë fakt ai njoftoi se në ditët në vijim do kishim zhvillime të reja(!!!) Nuk e di nëse ishte koincidencë, por fakti që mediat pranë tij, në ditët që pasuan, mbajtën fort anën e linjës së përkeqësimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, (ashtu si edhe deklaratat e tij në lidhje me këtë incident) lë shumë hapësirë për të dyshuar se ekzistonte informacioni paraprak për ngjarjet në Përmet. Në Greqi, linjat jo zyrtare, të mbështetura në skenat e frikshme të policisë private në Përmet dhe në emër të mbrojtjes së të drejtave fetare (të minoritetit(!)) imponuan Ministrinë e Jashtme greke në ato deklarata evazive. Kjo donte të thoshte se situata duhej balancuar. Dhe orkestruesit e balancuan me “sulmin” e besimtarëve për të rimarrë kishën. (Që kishte orkestrim flasin faktet: Policia “e hekurt” private, që shkelmonte priftërinjtë si lecka dhe rrëzonte kambanoren me forcën e frymës, u mund si prej letre para “sulmit” të besimtarëve. Besimtarët, pasi “ e morën” kishën, pas disa orësh e braktisën dhe... policia “rivendosi” kontrollin. Të nesërmen e gjithë policia “shkoi për kafe” dhe besimtarët përfituan për të arritur deri tek muret e kishës me dritare të mbyllura me mur...(!!!)) Në Shqipëri politika zyrtare heshtte, duke lejuar mediat për të nxitur, “në papërgjegjshmërinë” e tyre përkeqësimin e situatës. “Asi” në këtë lojë u bë bllokimi i mijëra shqiptarëve në kufi, nga një urdhër që nuk kishte tagrin e politikës së jashtme zyrtare të Athinës. Linja e politikës jo zyrtare greke ishte futur në lojë. Por nuk qe dakord trupi diplomatik i Greqisë në Shqipëri. Nga veprimi i saj u arrit që të neutralizohej urdhri bllokues i shqiptarëve në kufi dhe situata të normalizohej. Në këto momente u shfaq me profil qëndrimi të ashpër Tirana zyrtare. Por kur pa se në asnjë rast nuk do të kishte një përgjigje analoge nga pala greke, u tërhoq duke u kujdesur të shfaqej fitimtare në “këtë betejë”. Kumtoi se detyroi Greqinë të tërhiqej, me masa reciprociteti negativ(!!!)
Greqia nga ana e vet kumtoi se si shtet evropian, nuk mund të lejojë politikën e saj të jashtme të bjerë pre e incidenteve të pakuptimta dhe e interesave okulte që nuk lidhen me interesat shtetërore e kombëtare të saj. Si shtet evropian, kërkon që peshën e vet ta përdorë në shërbim të popullit të vet dhe të popujve të tjerë në Ballkan. Po përse incidentin e Përmetit mund ta quajmë të dyshimtë? Sepse, njëra palë u kujtua pas 12 vjetësh, për implementimin e një vendimi gjyqësor, ndërsa pala tjetër, Kisha Ortodokse, pas vendimit gjyqësor, nuk ndoqi rrugën mirëkuptimit dhe as rrugën e drejtësisë evropiane të të drejtave të njeriut, por atë të faktit të kryer me mjete jo legale.
Por cili ishte qëllimi i përfitimit nga ky incident?
Prishja e imazhit të Shqipërisë në prag të fitimit të statusit të vendit kandidat për në BE, kthyer në faturë të rendë për qeverinë e ardhshme. Dhe po në këtë kuadër, prishja e marrëdhënieve me Greqinë që ka një rol parësor në këtë drejtim. Detyrimet e vjetra të lidershipit të minoritetit etnik grek ndaj strukturave që operojnë me këtë logjikë në Tiranë dhe mendësia e shantazhit si hakmarrje për mospërfshirjen në qeverinë e re me poste ministri, (që do të thotë dobësim politik të tij) e bëjnë të pranueshme logjikën e bashkëveprimit të tij në këtë incident. Me dobësimin politik të këtij lidershipi të minoritetit dhe në Shqipëri nuk bien dakord as strukturat që përkrahën linjën e ashpër në Greqi.
Po përse Përmeti është vazhdë e incidenteve që çuan shpesh në zgrip marrëdhëniet Shqipëri-Greqi? Mediat shqiptare zbuluan pa dashje disa protagonistë në këto incidente që “veprojnë kundër interesave kombëtare shqiptare” dhe i quajti të pandëshkueshëm (!!!) Vërtet, u derdh lum gazi lotsjellës dhe u ushtrua dhunë e policisë private në Përmet kundër besimtarëve, madje edhe kundër gazetarëve. Këtyre “heronjve antishqiptarë” dhe njëkohësisht kaq pranë institucioneve përfaqësuese politike dhe jo politike të minoritetit etnik grek, nuk iu prek asnjë fije floku (!!!?). Mediat zbuluan gjithashtu se ata janë në përgjithësi me të kaluar të dyshimtë. Pra, të gjitha gjasat tregojnë se këta “heronj të helenizmit”, mund të jenë provokatorë të pranuar në struktura greke, pra me rol të dyfishtë. Përvoja ka vërtetuar se kudo ku shfaqen “aspiratat” helene të këtyre “antishqiptarëve”, shfaqet babëzia për përfitime personale apo të grupit, në emër të shqiptarizmit. Shembull tronditës përbën Himara. Pas shpalljes së saj si objektiv helenik prej dyshes Bollano-Dule, (2003) falanga uzurpatoresh me flamurin kombëtar shqiptar e kthyen perlën e bregdetin në një kaos të pafund, ku mes tyre humbi dhe çdo pretendim helen. E njëjta skenë përsëritet që nga 1991-92. I pamë si zgjidheshin për të përfaqësuar OMONIA-n, i pamë më 1994 me incidentin e Peshkëpisë, i pamë më 2003-in dhe në vijim në Himarë. I pamë në Kosinë më 2006-ën. I shohim edhe në Përmet...Ata janë njerëz që pavarësisht “antishqiptarizmit”, të tyre kanë në Shqipëri, shumë pasuri, privilegje dhe akses në çdo nivel dhe formë në mjedisin shqiptar.
Por nuk duhet t’i shohim më...!!!
Kush humbet dhe kush fiton nga këto incidente? Në radhë të parë humbasin marrëdhëniet e mira midis dy vendeve dhe dy popujve. I humburi tjetër shumë i madh është minoriteti etnik grek në Shqipëri. Pasojë të sa më sipër, ky minoritet humbi përfaqësimin e denjë politik, mbrojtjen e të drejtave të tij, demografike, ekonomike, arsimore, kulturore. Humbi kohezionin e brendshëm komunitar që e zëvendësoi me një përçarje të pariparueshme. Të humbur janë edhe mijërat e emigrantëve shqiptarë që çdo trazim marrëdhëniesh e vuajnë me një mënyrë ose në tjetrën në kurrizin e tyre. E humbur është edhe Shqipëria. Demagogjia disavjeçare për gjasme sabotim të Greqisë për korridorin tetë (kur në Greqi ky korridor kishte marrë fund) çoi në abandonim përfitimin e investimeve për aksin Jug-Veri që e la Shqipërinë jashtë integrimit si me korridorin tetë ashtu dhe lidhjen me Evropën Qendrore. Nacionalizmi për konsum të brendshëm sipas parimeve të shekullit të kaluar, krijon siklet të vazhdueshëm në Perëndim, për ta integruar në struktura euroatlantike. Shqipëria mund të mbetet me dylbitë e Kreshnik Spahiut në dorë, nëse mirëkuptimi i ofruar për zgjidhjen e marrëveshjes së kufirit detar, e cila do të hapë rrugën e përfitimit reciprok ekonomik, do të zëvendësohet me arbitraritetin e ligjshmërisë ndërkombëtare, ose të njëanshmërisë. Dhe në fund të fundit, përse dhe në emër të kujt operohet në politikën kombëtare me mjete të fillim shekullit të kaluar? Shqipërisë dhe popullit shqiptar, ashtu si atij grek, nuk i shërbejnë komplekset e fajit, frikës, dyshimit, kur jetojnë në zemër të Evropës dhe popujt e tjerë i kalojnë kufijtë midis tyre me shpejtësinë e erës.