Spektakli i nacionalizmit
Nasho Bakalli/mësimdhënës universitar
Shumë e shumë kohë më parë nacionalizmi lidhej vetëm me monarkun qejfmbetur apo tahmaqar. Lidhej me atë shtet feudal, kapitalist, komunist, apo komunitet, i cili ishte në një gjendje kritike për jetën dhe domosdo duhej që të yshtej, përballej apo shkrihej me nacionalizmin. Sot përparimi përshkon botën, dhe kuptimi i nacionalizmit ka pësuar ndryshimet e veta. Në shtetet e fuqishme qeveritarët dhe qytetarët janë të vetëdijshëm në lidhje me rolin, personalitetin dhe stilin e jetës së tyre brenda dhe jashtë shoqërisë.
Edhe një fëmijë kopshti, atje, është i vetëdijshëm rreth pamjes tij, pra rreth identitetit të tij. Shtetet e fuqishme luftojnë ta përsosin pamjen e tyre duke u ngjitur natyrshëm në çdo shkallë trajtimi që është e dobishme për bukurinë kombëtare pa patur aspak nevojë për kozmetika nacionaliste. Shikoni Gjermaninë, Francën, Anglinë, Skandinavët. Humanizmi i tyre shkëlqen. Nga ana tjetër janë shtetet e dobëta si Shqipëria dhe Greqia, të cilat “besojnë” se çdo gjë e shëmtuar në trupin e tyre mund të korrigjohet me ndihmën e marifeteve nacionaliste. Këto dy shtete fokusohen tek nacionalizmi me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes së qytetarëve të tyre nga krizat e keqqeverisjes, nëpërmjet shpërfaqjes së bëmave të grupeve të arta në njërën anë, dhe të aleancave dyngjyrëshe në anën tjetër. Është fakt se shtresat e ulëta të shoqërive, sipas statistikave, janë më të gatshmet të thithin firomën e nacionalizmës dhe të bëhen fli të saj. Edhe partitë, bizneset monopoliste, fonde të ndryshme financiare dhe grupime fetare janë gjithashtu të interesuar të shfaqen para publikut, në skenat e nacionalizmës, me pamje tërheqëse; sepse me këtë lloj luku ato “besojnë” se heqin qafe imperfeksionet në punët e tyre.
Ka edhe një grup të zgjedhurish nga populli të cilët ngordhin të jenë të pranishëm në aksionet nacionaliste me qëllim për të ruajtur maskën e tyre patriotike. Për shembull deputetë, senatorë, këshilltarë, bashkiakë, komunarë. Këta hileqarë e dinë mirë se nuk janë objekt kërcënimi, sepse ata njohin procedurat e fshehta të masave të sigurisë E dinë se asnjë lloj gjembi sado i vogël dhe i hollë nuk do t’iu hyjë as në tule. E mbi të gjitha, ka edhe struktura të mbispecializuara që ofrojnë trajtime nacionaliste të publikut. Në Greqi kemi departamentin Agimi. Në Shqipëri kemi departamentin Flamuri. Dhe çfarë kanë prodhuar këto departamente? Spektakle nacionaliste kohë pas kohe, temë pas teme, dhunë pas dhune, politikë pas politike, religjion pas religjioni; armiqësi, pakënaqësi, lajme, përfitime fondesh monetare kombëtare dhe ndërkombëtare, axhenda për seanca parlamentare në Shqipëri, Greqi, Parlamentin Europian, komisionet e BE, deri edhe hiring në platforma përkatëse të Kongresin amerikan etj.
E gjithë kjo bujë, shashërdi, pompë tregon se aksionet e nacionalizmës kanë rritje në bursat greke dhe shqiptare! Ka rritje të kërkesës së qeverisë shqiptare dhe asaj greke për tu dukur sa më bukur përkundrejt shoqërive respektive të zhytura në mjerim social-ekonomik. Edhe pse historikisht nacionalizmi i ndershëm shqiptar dhe ai grek kanë patur e kanë për mision shtimin e bukurisë kombëtare, politikanët paskrupuj nuk e kanë për gjë t’ia nënshtrojnë atë lëngatës së sistemeve politike që ata qeverisin në të dyja anët e kufirit. Padyshim që nacionalizmi ka edhe një kosto financiare, e cila përçon korrupsion material, moral, fetar. Se asnjë këmbë njeriu nuk të vjen të bëjë theatro nacionaliste me skeçe banale po qe se nuk mer një dorë të mirë paresh. Pra, papërballueshmëria morale është i vetmi element që e mban shumicën e njerëzve të zakonshëm të tërhequr nga kurthi i nacionalizmit; dhe përfitimi material është i vetmi element që i shtyn një grup agimtarësh dhe një grup flamurtarësh të joshen nga nacionalizmi korruptiv.