Berisha: Dumani, mburojë e vjedhjeve të qeverisë

TIRANË, 25 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike tha sot nga selia blu se kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Altin Dumani “ka mbrojtur çdo krim dhe vjedhje që ka bërë qeveria”.
Sipas Berishës, Edi Rama “duhet të bëjë nga mëngjesi gjer në darkë lavde, elozhe dhe t’i lëpihet Altin Dumanit aty pikërisht se Altin Dumani është bërë mburojë e këtyre vjedhjeve, e këtyre krimeve të paimagjinueshme, të gjitha të dokumentuara këto që thashë”.
Berisha shtoi më tej se “po të mos ishte Altin Dumani, krimi elektoral do ishte ndëshkuar”.
Berisha nënvizoi më tej se kreu i qeverisë ka “ndërhyrë në mënyrë brutale në shkarkimet dhe emërimet në bashkinë e Tiranës”.
“Meqë jemi këtu dhe ligji e ndalon në mënyrë kategorike çdo akt dhe veprim të pushtetit qendror mbi pushtetin vendor”, tha Berisha.
Sa i takon publikimit të kontratës dhe pagesën e kryer për Chris LaCivita, Berisha tha se “u garantoj se ajo kontratë, me të gjitha burimet se ku është marrë çdo qindarkë, do bëhet publike ditën që do përmbushet detyrimi ligjor i dorëzimit të saj në KQZ, siç na detyron ligji”.
/a.f/