E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mblidhen firmat në KiE për rrëzimin e mocionit të Dick Marty, Rama: S’mund të damkoset një luftë çlirimtare

Shqipëria ndërmerr edhe një tjetër hap drejt rrëzimit të rezolutës së Asamblesë së Këshillit Europian të 2011 për kryerjen e trafikut të organeve njerëzore nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë periudhës së luftës në vitin 1999. 

Përmes një njoftimi në facebook kryeministri Edi Rama njofton se Shqipëria ka mbledhur firmat e vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Këshillit të Europës për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e vitit 2011 “ku pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj ushtrisë së lavdishme çlirimtare të Kosovës për trafikun e organeve njerëzore” shkruan Rama.

Kryeministri  është i bindur se rruga e drejtësisë për Kosovën dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë do të jetë e gjatë por është i bindur se drejtësia do të triumfojë.

“Rruga e Drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por Drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare”, shkruan Rama

Mbledhja e këtyre firmave për Ramën është e domosdoshme “për të korrigjuar një gabim historik, që ky institucion ka bërë duke miratuar një rezolutë thelbi i të cilës është i bazuar në lajme të rreme”.

Pas paraqitjes së mocionit, ajo do të merret në shqyrtim nga Byroja parlamentare, e cila verifikon nëse është në respekt të procedurave të saj. Më pas ja kalon një prej Komiteteve të saj, i cili nga ana e tij mund të caktojë dy relatorë për të hartuar një raport. Ky dokument do të duhet të miratohet po nga Komiteti për t’u përfshirë në rendin e ditës së Asamblesë, ku do të duhen dy të tretat e votave.

Raporti i të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty është zanafilla që çoi më pas në ngritjen e një Gjykatë të Posaçme për krime lufte në Kosovë, me seli në Hagë dhe nisjen e procesit që ka vënë nën akuzë ish drejtuesit më të lartë politik të Prishtinës.

Sot ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm në nisjen e procesit gjyqësor ndaj tyre.  Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ish-udhëheqësit e UÇK-së, thanë se ndihen krejtësisht të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës së konfirmuar ndaj tyre.

Më 12 gusht 2022 Parlamenti shqiptar i përcolli zyrtarisht Këshillit të Evropës, rezolutën e miratuar  nga parlamenti shqiptar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›