E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gabriel Escobar në Tiranë, në prag të fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale të 14 majit

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pritet të jetë në Tiranë në prag të fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale të 14 majit, bëjnë të ditur burimet për rtsh.al

Zyrtari i lartë amerikan pritet të qëndrojë në Tiranë nga data 11 – 13 prill.

Escobar pritet të ketë takime me presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama si dhe përfaqësues të Partisë Demokratike ai do të takojë, Enkelejd Alibeajn, Gazment Bardhin e Jorida Tabaku.

Vizita e fundit e Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar në Tiranë ishte më  9 dhjetor 2021,  pak muaj pasi DASH kishte marrë vendimin për të ndaluar hyrjen në SHBA të ish kryeministrit Sali Berisha e familjes së tij, duke e futur atë në listën e zyrtarëve “të përfshirë në korrupsion në nivel të lartë”.

Vendimi i majit të DASH u pasua me vendimin e zotit Basha, atëherë kryetar i PD-së për të lënë Berishën jashtë grupit parlamentar. Kjo nxiti më pas përçarjen e PD-së dhe ndarjen e saj në dy grupime dhe dorëheqjen e Bashës. Aktualisht demokratët janë të ndarë mes “Rithemelimit” dhe Partisë Demokratike me kryetar në detyrë Enkelejd Alibeaj.

Në zgjedhjet e 14 majit, PD e Alibeajt do të garojë si subjekt zgjedhor, ndërsa grupimi i Berishës do të garojë si koalicion me Metën, një parti e majtë, nën logon “Bashkë fitojmë”. 
/rtsh.al/ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›