Berisha: Dy sekretet e mia para votimit në PD

Tashmë vetëm si deputet i Partisë Demokratike, Sali Berisha vlerësoi procesin e votimit për kreun e ri të demokratëve duke shtuar se ai ishte një provë që demokratët e kaluan në mënyrë të shkëlqyer.“PD është parti e vlerave, parimeve, më të shkëlqyera, më të larta dhe ajo, jo se ka pasur shkop magjik, por se ka pasur një program me vlera dhe parime. PD-ja ka arritur të shënojë në biografinë e saj suksese dhe arritje të mëdha. PD-ja ka mbetur në Europën ish-komuniste forca e themeluar në vitet 90 më e fuqishme.
PD-ja faktoi dje para shqiptarëve se është një forcë e vlerave. Dje votuan mbi 41 mijë anëtarë duke befasuar, duke dëshmuar që pavarësisht nga rezultati i 23 qershorit demokratët mbeten të pathyeshëm. Ndaj dhe unë do të shpreh edhe mirënjohjen time më të thellë ndaj tyre”, u shpreh Berisha.
Pavarësisht akuzave publike edhe të anëtarëve të PD-së, kryeministri Berisha i ka cilësuar problemet si “burokratike”, ndërsa ka shtuar se i kishte kërkuar Bashës dhe rivalit të tij, Sokol Olldashi, që të lejonin të votonte gjithkush që kishte kartën e anëtarësisë, duke i mbajtur shënim emrat në një fletore, por ata nuk pranuan. “Do iu them dy sekrete. Jo dje, por pardje ju kam kërkuar dy kandidatëve se listat janë këto. Kur ndodh një fenomen i papritur nuk mund të pretendonim të kishim regjistrin më të përsosur, midis asaj që PD duhej të ngrihej me shpejtësi në këmbë dhe asaj tjetër që të ndërmerrej një proces i tejzgjatur burokratik dhe unë zgjodha të parin.
41 mijë votues faktuan se kisha të drejtë. Nuk e prisja ketë pjesëmarrje te jashtëzakonshme për afatin. Të jem i hapur, një ditë para i kërkova të dyve të vendosim një fletore anash dhe të votojnë të gjithë ata që kanë dokumentin e partisë. Nuk arrita t’i bind dhe unë pranova, se ata ishin në garë, jo unë. Së dyti, ditët e para iu kam dhuruar një mesazh konfidencial, të dashur miq! Kjo garë nuk është garë mes aksionerëve, ai që nuk fiton do pranojë humbjen dhe do mbështesë fituesin”, tha Berisha.
Edhe pse i takon për të drejtuar seancën e parë të mbledhjes së parlamentit si deputeti më i vjetër, kryeministri Berisha paralajmëroi se nuk do ta kryesojë ai seancën, duke vijuar me akuzuat ndaj PS-së për vjedhje të votave. “Do e kisha kryesuar seancën e parë nëse ky pushtet nuk do kishte ardhur nga klani i drogës, krimi dhe blerja e votës, janë këto arsyet që nuk e konsideroj aspak të denjë kryesimin e asaj seance dhe nuk do e bëj, në grup, fuqishëm, do të jem aty zëri i pamposhtur i demokratëve të Shqipërisë”, tha Berisha./Indeksonline/