Berisha: E ardhmja e Shqipërisë, BE-ja

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se vendet anëtare të BE-së pjesëmarrëse në samitin e Kroacisë u shprehën qartë se e ardhmja e Shqipërisë është në BE. Në një prononcim për mediat gjatë samitit të Dubrovnikut, kryeministri tha se "Ky ky ishte një Samit vërtetë shumë i dobishëm dhe oratorët shprehën vizionin e tyre tërësisht në mbështetje të perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe të rajonit".
Sipas tij në samit u shkëmbyen pikëpamjet për të gjithë problematikën që ekziston në vende dhe në rajon, si dhe krijohet një kuptim më i qartë, më i mirë për të gjitha zhvillimet.
Lidhur me bojkotin e Serbisë, Berisha tha se është një gjë që duhet të mos ndodhë. "Dua të theksoj se ideali evropian duhet të jetë ideal udhëheqës për kombet tona dhe këto nuk pajtohen me mosdialog apo me qëndrime përjashtuese. Në këtë kontekst uroj dhe dëshiroj që këto praktika të marrin fund sa më shpejtë", nënvizoi ai.