“KQZ e vendosur për ta kryer detyrën me profesionalizëm”
Zgjedhjet e 2013 mbledhin trojkën e ambasadorëve, Arvivu-Sequi- Volfarth
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 kanë mbledhur mbledhur në një takim trojkën e ambasadorëve të akredituar në Tiranë. Në takimin e parë të Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet morën pjesë ambasadori i SHBA Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE-së Etore Sekui dhe ambasadori i prezencës së OSBE-së në vendin tonë Eugen Volfarth.
Grupi i Punës është një forum i përfaqësuesve të Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare për të shkëmbyer informacion në lidhje me zgjedhjet, si dhe për të bashkërenduar qëndrimet.
Ambasadori Eugen Ëollfarth në fjalën e tij ka vlerësuar konsensusin e arritur mes partive politike për reformën zgjedhore dhe tha se kjo duhet të pasohet nga zbatimi i Kodit zgjedhor.
“Konsensusi i arritur nga partitë kryesore parlamentare për të përfunduar me sukses reformën zgjedhore duhet të pasohet nga një zbatim i plotë dhe i sinqertë i kodit të ndryshuar zgjedhor nga të gjithë aktorët e përfshirë. Kjo vlen veçanërisht për përdorimin e teknologjive të reja në zgjedhje: një frymë besimi midis partive dhe vullneti të mirë është thelbësore për zbatimin me sukses të këtyre teknologjive”, theksoi Volfarth. Ambasadori i OSBE-së ka vlerësuar punën e deritanishme të KQZ-së dhe theksoi se është e vendosur për të punuar me profesionalizëm dhe efikasitet të lartë.
“KQZ-ja i ka hyrë punës me vrull dhe duket e vendosur për ta kryer atë me profesionalizëm dhe në mënyrë jopartiake. Deri më tani vendimet kanë qenë të njëzëshme dhe më vjen mirë të them se klima e përgjithshme e takimeve në KQZ ka qenë pozitive. Është shumë e rëndësishme që KQZ-ja të bëjë përpjekjet maksimale për t’i realizuar me efikasitet përgatitjet komplekse për zgjedhjet parlamentare. Nuk mendoj se mund ta teproj së theksuari rëndësinë e madhe të të pasurit një atmosferë bashkëpunimi në KQZ, me një pjesëmarrje aktive dhe konstruktive të të gjithë anëtarëve”, vijoi ai.
Ndërkaq ai informoi edhe për propozimin e një Kodi Sjelljeje për partitë politike, i cili ka për qëllim të shmangë përdorimin e një gjuhe të papërshtatshme gjatë fushatës së ardhme zgjedhore.
“Në një takim që pata me Presidentin e Republikës më 26 tetor diskutuam hartimin e një kodi të tillë. Ai e mirëpriti këtë nismë dhe premtoi mbështetje të plotë me synim që së bashku me Prezencën të hartohej ky kod dhe të merrej miratimi i partive politike. Sigurisht që ne e mirëpresim mbështetjen e bashkësisë diplomatike këtu në Shqipëri për këtë përpjekje, e cila besojmë se do të kontribuojë për të siguruar zgjedhje të lira dhe të drejta”, shtoi Volfarth.
Në fund të fjalës së tij ambasadori Volfarth shprehu mbështetjen dhe asistensën teknike që OSBE i ofron KQZ-së dhe autoriteteve të tjera vendase, ndërsa ODIHR-i bën vëzhgimin e zgjedhjeve nëpërmjet ekipeve të vëzhguesve dhe nxjerr raporte me gjetje dhe rekomandime.
“Misionet e ODHIR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve realizohen në bazë të një kërkese specifike që vjen nga vendi ku mbahen zgjedhjet”, tha Vollfarth.