Berisha: Edi Rama në konflikt interesi me ligjin, pezullimi sipas standardeve të Mark Abdisë

Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar dje vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për pezullimin e ligjit të lustracionit, si absurd dhe në konflikt të hapur interesi. Gjithsesi ai ka garantuar se vendimi do të zbatohet. Deklarimet e tij, Kryeministri Berisha i bëri ët ditura në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-ës. Kryeministri Sali Berisha e konsideroi vendimin për pezullimin e ligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” si “jashtëzakonisht të rëndë”, sepse anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i lejuan vetes të marrin vendim në konflikt të hapur interesi, në kundërshtim flagrant me çdo standard të një vendi të lirë.
“Sot është marrë një vendim jashtëzakonisht i rëndë, sepse anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i lejuan vetes të marrin vendim në konflikt të hapur interesi, në kundërshtim flagrant me çdo standard të një vendi të lirë. Me këtë vendim, që mund të quhet thjesht standardi i Mark Abdisë, Gjykata Kushtetues dhunoi një parim universal të etikës të gjyqësorit, që është parimi i integritetit dhe që ka si kusht themelor përjashtimin nga konflikti i interesit dhe nga dukuria sikur je në konflikt interesi, ajo theu ligjin e saj organik që nuk i lejon gjykatësit të vendosin në konflikt interesi. Pra, nuk është çështja se ky vendim do të mund të pengojë dënimin e krimeve kundër njerëzimit të sistemi komunist, sepse në mënyrë absolute ky është një proces jetik për këtë shoqëri dhe nuk do të mund të pengohet, por çështja është se përmes këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese i dha një goditje shumë të rëndë parimësisë, kodit etik të gjyqtarit dhe të gjyqësorit”, u shpreh Kryeministri. Kryeministri tha se për këtë ligj u diskutua edhe me institucionet ndërkombëtare dhe u ra dakord që të gjenden modalitetet, në mënyrë që Gjykata Kushtetuese, jashtë konfliktit të interesit, të mund të shprehej për ligjin.
“Ne nuk kemi asnjë kundërshtim që institucionet të ushtrojnë të gjithë funksionet e tyre, por standardi i vendosur sot është unikal; me këtë vendim, qëllimi kryesor i atyre të cilët kanë probleme të mëdha me krimet e shkuara, është mbrojtja personale e vetes së tyre”, theksoi Kryeministri. Gjykata Kushtetuese, u shpreh Kryeministri, e personalizoi këtë çështje, ndërkohë që qeveria kishte si qëllim kryesor dënimin e krimeve kundër njerëzimit të periudhës komuniste. Duke u ndalur në qëndrimin e mazhorancës kundrejt vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kryeministri tha se ajo nuk do të heqë dorë kurrë nga dënimi i krimeve kundër njerëzimit.
“A mundet që kjo mazhorancë, e cila lindi si një përballje gjigante me diktaturën dhe krimet e saj monstruoze, të tërhiqet dhe të heqë dorë nga dënimi i krimeve kundër njerëzimit? Kurrë jo! Përkundrazi, këto që ndodhin dëshmojnë se ky proces është jetik. Çfarë i shtyu ata të votojnë në një moment kritik për etikën dhe parimet e mëdha të etikës së gjyqtarit, përveç çështja e ‘karriges’ së tyre?”. Më tej, Kryeministri Sali Berisha duke sjellë shembuj të tërheqjes së gjyqtarëve amerikanë, nga një rast gjykimi, ku në mes kishte konflikt interesi, e cilësoi sjelljen e Gjykatës Kushtetuese shqiptare, si “një anti standard”, ndërse cilësoi luftën kundër krimeve të njerëzimit si të vështirë, për shkak të mbrojtjes që i bëjnë atij regjimi, njerëz të brumosur me “urrejtjen klasore”.
“ Lufta kundër krimeve të njerëzimit të diktaturës komuniste është një proces i vështirë, ajo ka avoketërit e vet të lidhur kokë e këmbë me të shkuarën, tek Edi Rama dhe Partia Socialiste e cila edhe 18 vjet pas krijimit, të saj dëshmoi se ka mbetur ajo që ka qenë, një parti e dosjeve, e krimeve dhe e urrejtjes klasore. Ky njeri do të vinte në vitin ‘90 në mitingun tonë, pas Bibliotekës së Universitetit dhe do të më thoshte se, ‘ky fjalimi yt nuk është gjë, është i butë, sepse ata duhen varur’. E pashë drejt e në sy e i thashë, ‘kë duhet te varim?’. ‘Ata, më tha, Komitetin Qendror dhe Byronë Politike’. Unë iu përgjigja se, ‘nuk kam krijuar partinë e varjeve, por kam krijuar Partinë Demokratike’. Absolutisht ai ishte me idetë e Enverit për Bari Omarin. Por ai u transformua tashmë në një avokat të tmerrshëm të krimeve të familjes së tij, pinjoll i arkivave të dosjeve”, u shpreh Berisha, duke ju referuar avokatisë së Edi Ramës, për ligjin e lustracionit.
Nga ana tjetër, Kryeministri Sali Berisha garantoi se, vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të zbatohet, pasi nuk mund të hidhet poshtë, pavarësisht se ai është absurd dhe i marrë në konflikt të hapur interesi. “Zotimi ynë para shqiptarëve, por edhe komunitetit ndërkombëtar, ka qenë se ky do të jetë një proces që do të bazohet në rregullat e shtetit ligjor, sepse vetëm në këtë mënyrë ky bëhet një proces i dobishëm dhe vetëm në këtë mënyrë ai realizon qëllimin e tij.
Ndaj, duke denoncuar publikisht vendimin në konflikt të plotë interesi të Gjykatës Kushtetuese, sigurisht që ne jemi të detyruar që, për shkak të primeve të shtetit ligjor, vendimin ta marrim parasysh... Unë e kuptoj që ky është një mesazh tmerrësisht i hidhur që marrin sot qindra e mijëra familje shqiptare që përjetuan kalvarin më të egër, inkuizicionin e luftës së klasave. Por, më lejoni të zotohem para tyre se, këtë betejë do ta vazhdojmë pa ndërprerje, gjithnjë në përputhje më rregullat e shtetit ligjor. Qeveria nuk mund t’i lejojë vetes të dalë mbi gjykatën, pavarësisht nga vendimi absurd i tyre. Ajo është organ ekzekutiv, është e detyruar me ligj e Kushtetutë të vetëkufizohet. Unë e kuptoj që ky vendim është marrë nga ata të cilët ishin subjekt i ligjit, por mazhoranca qëndron e vendosur në këtë drejtim. Unë kam qenë i gatshëm të bashkëpunoj për të gjetur modalitetet që Gjykata të dalë jashtë konfliktit të interesit, sepse nuk duhet që, në rast se ke një problem, të krijosh edhe një problem tjetër”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri theksoi më tej se, pas këtij vendimi është Edi Rama, avokat kryesor i krimeve të shëmtuara të sistemit komunist, i cili edhe ai ka konflikt interesi, sikurse edhe disa prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Të gjykosh për veten tënde, kur këtë ta ndalon ligji, të gjykosh për veten tënde, kur e di gjithë Shqipëria e gjithë bota se ke urdhëruar varjen e njerëzve të pafajshëm, etj, krijon një precedent shumë të rrezikshëm. Por, reformat, reformat dhe vetëm reformat janë rruga e zgjidhjes së këtyre problemeve. Demokracia nuk është një proces që ndërtohet në një ditë. Përkundrazi. Ndaj ne do ta ndjekim këtë çështje, pasi ata kanë shkelur në mënyrë flagrante edhe rezolutën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të qershorit të vitit 2008, kanë shkelur ligjin e Gjykatës Kushtetuese dhe një sërë ligjesh të tjera. Por, sërish zotimi ynë është që çdo gjë duhet të funksionojë mbi bazën e rregullave të shtetit ligjor. Edhe Edi Rama, i cili ka bërë ankesën pranë kësaj gjykate , ka vepruar në konflikt të plotë dhe flagrant interesi, sepse janë me dhjetëra e dhjetëra dosje të cilat kanë firmën e njerëzve të tij më të afërt për ekzekutim. Edhe një pjesë e atyre që e gjykuan ligjin, janë në konflikt interesi, pra e gjithë kjo u bë një aferë e bazuar në konfliktin e interesit”, tha Kryeministri Berisha.
...