E Diel, 1 Nëntor 2026

Kupola enveriste po kërkon të marrë peng demokracinë

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar Ligjin e Dosjeve ka skandalizuar të gjithë ata që 20 vitet e fundit ua kanë kushtuar përpjekejve për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Evropa. Gjyqtarët që kanë marrë pjesë në dhjetër gjyqë politike vendosën dje t’i lënë shqiptarët peng të enveristëve që janë të shpërndarë në politikë, prokurori e gjykata. Pritet reagimi i ish-të përndjekurve politikë, ish-pronarëve dhe e të gjithë atyre që luftuan për t’u ndarë nga shteti i Nexhmijes, Spiro Kolekës e Kristaq Ramës.

Ishte thuajse e parashkruar që një përbërje si ajo që ka Gjykata jonë Kushtetuese do të prodhonte vetëm precedentin e zi të anti-standardit të drejtësisë. 7 nga 9 anëtarët e Gjykatës vendosën apriori të merrnin në shqyrtim një çështje që kishte të bënte drejtpërdrejt me qenien e tyre në funksionet e larta të drejtësisë dhe çuditërisht, nga nëntëshja e anëtarëve, janë bash këta të shtatë, që votuan për ta marrë çështjen në shqyrtim e për të pezulluar futjen në zbatim të Ligjit të Dosjeve, ata që kanë konfliktin e interesit. Dje është regjistruar leksioni, se si 7 anëtarë gjykate që janë të përfshirë në dhjetëra gjyqe të diktaturës komuniste e që kanë çuar në burg e në litar shqiptarë të pafajshëm, marrin vendim për t’i lejuar vetes të qendrojnë në krye të drejtësisë shqiptare. 

Skandali s’do shumë koment në aspektin juridik dhe e di i madh e i vogël se ç’kanë qenë në gjendje të bëjnë në të shkuarën Fehmi Abdiu me 63 gjyqet e tij politike për më shumë se 200 të pandehur apo Kujtim Puto, apo Petrit Plloçi, apo... Në listë shihet qartë përfaqësimi i drejtpërdrejtë i metastazave të diktaturës, deri edhe tek Sokol Berberi, i ardhuri i fundit, që e nis karrierën e tij prej hetuesi, në vigjilje të demokracisë, por që bash për këtë edhe shërben për vazhdimësinë e pushtetit të sovjetëve në drejtësi. Me anë të alibisë se do t’i kërkohet mendim Komisionit të Venecias, kjo shtatëshe e Gjykatës Kushtetuese (pasi më përpara kishte administruar mendimin paraprak pozitiv të Fehmi Abdiut e Sokol Berberit), foli për një stop të reformës në drejtësi, për një qendrim të pandashëm me drejtësinë komuniste, me drejtësinë ku vetëm partia që ka trashëguar Enverin ka gjithmonë të drejtë, pra tashmë kur vetëm Edvini dhe paqendrueshmëritë e tij kanë monopolin e së vërtetës.

E kishim harruar disi praktikën e zezë të tjetërsimit të mandateve të deputetëve që udhëhoqi Gjykata Kushtetuese para disa vitesh dhe bëmë një sy qorr kur ajo u investua fuqishëm në tre vitet e fundit për të ndalur çfarëdolloj reforme që kishte të bënte me ndalimin e nepotizmit në administratë, reformimin e sistemit të drejtësisë apo përshpejtimin e reformës së legalizimit, por dje kjo kujtesë na erdhi fuqishëm, bile e shumëfishuar, sepse dje anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën për veten dhe për ne, u shndërruan në një kupolë mafioze që ka në dorë fatet e vendit.

Nuk është vendi për të folur për skrupujt e shtetit ligjor, ato le t’i përdorin Berberi, Plloçi, Abdiu e të tjerët për të justifikuar meskinitetin e vendimit. Në rend të ditës tashmë ka dalë kërkesa për një plebishit të fortë e final, mandat prej nga edhe do të rrjedhë mundësia për të çrrënjosur këto metastaza të diktaturës së Enver Hoxhës e Aranit Çelës nga sistemi i drejtësisë. Vendimi për pezullimin e Ligjit të Dosjeve lexohet më së miri si një rreshtim klasor i Abdinjve, kundër ish-të përndjekurve politikë, kundër ish-pronarëve, kundër biznesit e kundër të gjithë partizanëve të lirisë, shfaqur e shumëfishuar në shoqërinë shqiptare këto 20 vitet e fundit. Të gjithë së bashku kemi sërish përballë aradhën e enveristëve, të cilët s’e kanë për gjë të na i hedhin në kosh të gjitha aspiratat, mjaft që të mos dëmtohen pinjollët e Ramiz Alisë e Spiro Kolekës, por para së gjithash, aspiratat e tyre për të vjedhur sa të duan e për të na drejtuar sa të jenë gjallë. 

Ky mbetet leximi i vetëm i vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, një lexim që mund të mos duket shumë tek gjuha juridike a politike e kryeministrit Berisha, kryeparlamentares Topalli apo politikanëve të tjerë të së djathtës, por që është tek e gjithë aleanca e lirisë. Kjo aleancë normalisht kërkon një aksion të ri, aksion që do të mund ta ndihmojë edhe politikën e djathtë, t’i çlirojë institucionet. Vendimi ka shtuar mundësitë për kohezion, i cili do të mundësojë një mazhorancë të fortë dhe një çlirim nga Fehmi Abdiu, i cili s’lodhet duke i vrarë përditë shqiptarët, sa herë i jepet rasti, njëherë me vendim për varje, një herë duke u tjetërsuar votën e njëherë duke mbrojtur gjakatarët që gjallojnë në gjykata, prokurori e politikë.

Rezoluta e Gjykatës Evropiane e të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës

Etika Gjyqësore – Parimi i paanshmërisë së gjyqtarëve dhe integritetit të tyre moral

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës, pak muaj më parë, miratoi rezolutën me 10 parime bazë, për Etikën Gjyqësore, mbi të cilat duhet të bazohet sjellja e gjyqtarit, ndër të cilat theksohet parimi i paanshmërisë së gjyqtarëve dhe të integritetit të tyre moral. Lidhur me paanshmërinë, gjyqtarët duhet të ushtrojnë funksionet e tyre me paanshmëri të plotë si dhe të garantojnë aparencën e paanshmërisë. Për sa i takon integritetit, sjellja gjyqtarëve duhet të jetë konsistente, në përputhje me karakterin moral të lartë që është një kriter për detyrën e gjyqësorit. Gjyqtarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm në çdo kohë për detyrën e tyre, për të mbajtur lart qëndrimin dhe reputacionin e gjykatës. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është një nga institucionet më të rëndësishme të kontinentit Evropian. Vendimet e saj kanë autoritet mbi kombëtar mbi sistemin gjyqësor të vendeve anëtare, pra për të gjithë vendet anëtare të Këshillit të Evropës.

I. Pavarësia

Në ushtrimin e detyrës së tyre, gjykatësit duhet që të jenë të pavarur nga të gjitha ndikimet apo autoritete jashtë sistemit. Ata nuk duhet që të jenë pjesë e asnjë aktiviteti apo organizate, pozicion që mund të dëmtojë apo ndikojë në pavarësinë e tyre.

II. Paanshmëria

Gjyqtarët duhet që të ushtrojnë funksionet e tij në mënyrë të paanshme duke e garantuar dhe evidentuar paanshmërinë. Ata duhet që të kujdesen që të shmangin në çdo rast konfliktin e interesit por edhe përzierjen në të gjitha ato situata të cilat perceptohet se e përfshijnë apo krijojnë për gjyqtarët konflikt interesit

III. Integriteti

Drejtimi i gjykimi duhet të jetë në përputhje me  një moral të lartë që ështëedhe një kriter për zyrat gjyqësore. Ata duhet që të jenë në çdo rast të kthjellët dhe të qartë për të përmbushur detyrën ë tyre në respekt edhe të reputacionit të Gjykatës.

IV. Zelli dhe kompetenca

Gjyqtarët duhet që të kryejnë detyrën e tyre me zell dhe kompetencë. Për të mbajtur një nivel të lartë kompetence ata duhet që të zhvillojnë në vijimësi aftësitë profesionale.

V. Konfidenca

Gjyqtarët duhet që të ruajnë fshehtësinë e informacioneve që merren në rrugë konfidenciale përgjatë hetimet përpara se çështja të fillojë të gjykohet zyrtarisht

VI. Liria e shprehjes

Gjyqtarët duhet që të ushtrojnë të drejtën e tyre për tu shprehur në përputhje të plotë me dinjitetin e institucionit që ai përfaqëson.

VII. Aktivitetet e tjera

Gjyqtarët duhet që të mos angazhohen në aktivitete te tjera që vënë në rrezik apo ndikojnë në pavarësinë e tyre.

VIII. Dhuratat dhe avantazhet

Gjyqtarët nuk duhet që të pranojnë asnjë dhuratë, favor apo avantazh që mund të cenojë pavarësinë apo paanshmërinë e tyre gjatë një procesi gjyqësor.

IX. Dekorimet

Gjyqtarët mund të pranojnë dekorime vetëm kur pranimi i këtij nderimi nuk implikon apo ngre dyshime mbi cenimin e pavarësisë së tyre.

X. Qëllimi i këtij dallimi

Për parimet, vendoset përpara aplikimit për anëtarët e Gjykatës dhe ku më të rëndësishmit përcaktohen ish gjykatësit dhe gjyqtarët e veçantë “ad hoc”. 

Masa Finale

Në rast të dyshimeve për zbatimet e këtyre parimeve, në dhënien e një situate apo pozite, një gjykatës mund të kërkojë këshillat e Kryetarit të Gjykatës.

Dhe në këtë rast, Kryetari i Gjykatës mund të konsultohet me byronë përbërëse.

Gjithashtu, Kryetari i Gjykatës mund të raportojë në mbledhjen plenare të Gjykatës, mbi zbatimet e këtyre parimeve.

Kur ligji parashikon mospërfshirjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në një çështje

L I G J Nr. 8577, datë 10. 02.2 000

PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN 

E GJYKATËS KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

KREU IV

PARIME TË GJYKIMIT KUSHTETUES

Neni 25

Paanësia në gjykimin kushtetues

1. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese në shqyrtimin e çështjeve është i paanshëm dhe bazohet në kryerjen e detyrave të tij vetëm në Kushtetutë dhe në ligj.

2. Në veprimtarinë e tij, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese merr pjesë me cilësinë e tij vetjake dhe nuk përfaqëson asnjë organ shtetëror, organizatë shoqërore, parti ose shoqatë politike, grup etnik ose social.

KREU VI

FUNKSIONIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE

Neni 36

Heqja dorë nga shqyrtimi i çështjes

1. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese është i detyruar të heqë dorë nga shqyrtimi i një çështjeje konkrete kur:

            a) ka marrë pjesë në hartimin e aktit objekt shqyrtimi;

            b) për shkak të lidhjeve fisnore apo lidhjeve të tjera me pjesëmarrësit në gjykim vihet në dyshim objektiviteti i tij;

            c) në çdo rast tjetër kur vërtetohen arsye serioze njëanshmërie.

2. Heqja dorë miratohet nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, derisa çështja nuk ka kaluar në seancë plenare. Më pas, heqja dorë vendoset me shumicën e votave të gjyqtarëve pjesëmarrës në proces.

Neni 37

Përjashtimi i gjyqtarit

1. Pjesëmarrësit në gjykim kanë të drejtë të kërkojnë përjashtimin e gjyqtarit në çdo fazë të zhvillimit të gjykimit kur ekziston një nga rastet e parashikuara në nenin 36 të këtij ligji dhe gjyqtari nuk heq dorë nga shqyrtimi i çështjes.

2. Për përjashtimin e gjyqtarit vendos shumica e gjyqtarëve që marrin pjesë në shqyrtimin e çështjes. Gjyqtari, për të cilin kërkohet përjashtimi, pasi dëgjohet nuk merr pjesë në votim. Kur votat ndahen në mënyrë të barabartë, gjyqtari quhet i përjashtuar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›