E Diel, 1 Nëntor 2026

Ethet parazgjedhore nuk janë për Fueren apo Jankullovskën, por për shqiptarët!

Ethet parazgjedhore kanë filluar. Tanimë është bërë zakon të parashtrohen pyetjet: A do të kemi zgjedhje të rregullta? A do të vriten shqiptarët ndërmjet veti? Kush është fajtor për të? A po na e bën Gruevski apo Cërvenkovski!? Pavlloviç Latasi ka përgjigje, PDSH-ja dhe BDI-ja kanë plan të fshehtë, do të inskenojnë dhunë që Maqedonia të mos hyjë në NATO dhe EU. Kapaku është z Fuere, i cili çdo natë na e përsëritë refrenin "zgjedhjet janë kusht për BE dhe NATO". Ministrja e Punëve të Brendshme e luan gishtin, unë kam plan policor për zgjedhje të lira dhe demokratike! Lexo, për pjesën shqiptare. Shihe, shihe! Zgjedhje të lira me polici. Përgjigjja ime është: me zgjedhjet në pjesën shqiptare udhëheqin shqiptarët.

Maqedonia është shtet multi-etnik. Mëvetësinë është duke e ndërtuar në një ambient post-modern mbi parimin e shtetit modern në të cilin gjendet Evropa. Pa dashtë që të sqaroj më gjerë këto dy koncepte, vetëm kalimthi do të them ca fjalë. Shtetet moderne janë ato shtete që bazohen në konceptin e shtetit nacional. Identiteti shtetëror identifikohet me kombin, kurse shtetet post-moderne janë shtetet në të cilët kombi, si kolektivitet, humb nga pesha për llogari të individit. Me fjalë të tjera, elementi nacional në shtetet moderne është dominant. Maqedonia është një rast i tillë. Fakti që Maqedonia në përbërjen e vet është multi-etnik i përplas këto dy koncepte dhe shtron dilemën si të qeveriset me te! Dallimet konceptuale në ndërtimin e shtetit prodhuan kriza permanent në këtë vend. Kriza më e rëndë që eskaloi në konflikt të hapur ishte ajo e vitit 2001. Fundi i konfliktit ishte nënshkrimi i marrëveshjes së kompromisit ndërmjet këtyre koncepteve. Marrëveshja e Ohrit nga Maqedonia krijoi një organizim shtetërorë sui-generis. Një nga studiuesit e shteteve multi-etnike, Florian Biber, Maqedoninë do ta karakterizojë si formë e organizimit "ndërmjet shteti nacional, qytetarë, bi-nacional, me elemente të powr-shering në qeverisje". Kjo formë e re e organizimit, edhe sot e kësaj dite nuk e definon qartë mënyrën e qeverisjes. Shtetit modern të Maks Veberit i njihet e drejta e monopolit mbi përdorimin e forcës. Që të mund këtë monopol ta shfrytëzojë, atij i nevojitet legjitimiteti i popullit. Rober Kuper do të thotë: përdorimi i dhunës nga një qeveri pa legjitimitet krijon kaos. Në situatë të një shteti multi-etnik kur legjitimiteti i partive politike lidhet me komunitetin, kurse shteti është unitarë në funksionimin e tij, si do të ushtrohet kjo e drejtë!? Kush ka dhe sa ka legjitimitet për të përdor dhunën. Po i njëjti autor do të shtojë: mospërdorimi i dhunës në momente të caktuar mund ta vërë në pikëpyetje pushtetin legjitim! Kjo qasje e analizës na çon drejt një rrethi virtual, pa dalje. Megjithatë, çfarë flet përvoja e gjertanishme në përdorimin e dhunës?

Koha para 2001 njihet si diktature e shumicës. Përdorimi i dhunës ishte e drejtë ekskluzive e shumicës. Shumicës, pa shqiptarët. Për këtë kohë në memorien e shqiptarëve mbeten Bit Pazari, Radolishta, Tetova e Gostivarit. Për këto raste, dhuna e ushtruar nga shteti, kurrë nuk u pranua si legjitime. Kohën e pas 2001-shit mund ta ndajmë në dy faza. Fazën e parë do ta kisha quajtur faza e mosbesimit të thellë ndërmjet komuniteteve e që ka të bëj me periudhën 2002-2004. Këtu janë rastet e Sopotit dhe Brezës. Këto janë momente kur një praktik e vjetër u sprovua në kushte të reja. Kjo, në atë kohë, e sfidoi pamasë partinë shqiptare në pushtet, BDI-në. U desh një reagim shumë i ashpër në orët e vona të asaj nate dhe në prezencë të faktorit më relevant ndërkombëtarë që gjërat të fillojnë të ndryshojnë. Prej këtij momenti partia politike shqiptare në pushtet vendos të merr pjesë aktive në vendimmarrje në rast të përdorim të dhunës. Veçanërisht, ajo do të kërkojë pëlqimin e saj kur do të veprohej në vendbanimet shqiptare. Kjo nënkupton të merrte përgjegjësin apo më mirë thënë, të drejtën e përdorimit të dhunës nëse ajo është e domosdoshme. Ky do të quhet si moment i kthesës për pushtetarët shqiptarë në Maqedoni. Prej këtij momenti, partitë politike shqiptare me kapacitete të ndryshëm, marrin pjesë aktive në vendimet kur pushteti vendos të përdorë dhunën në pjesën me popullatë shqiptare. Rastet më të rënda janë ai i Brodecit dhe këto të fundit me bastisjet dhe arrestimet që ndodhën në Çair. Në të dy këto raste, liderët e partive politike shqiptare marrin përgjegjësin për veprimet e policisë. Çka mund të konstatojmë?

Një popull nuk mund të pretendojë në barabarësi të plotë nëse edhe në aparatin e dhunës nuk ka ndikim. Por, çka me reagimin e opinionit publik shqiptarë? Një analizë pak më e hollë do të nxjerrë në pah esencën e këtij reagimi. Reagimi nuk ishte kundër të drejtës së shtetit për përdorim të dhunës, por ai kontestonte legjitimitetin e ushtruesit të dhunës. Një shtet me procedurë dhe rregulla në të njëjtën kohë menaxhon me monopolin e drejtësisë dhe monopolin e dhunës. Ajo çka i irriton shqiptarët është kjo: a kanë kapacitet dhe fuqi pushtetarët shqiptarët që të drejtojnë me drejtësinë dhe të parandalojnë dhunën, ose vetëm kryejnë detyra që ua japin të tjerët. Nuk mundet që edhe më tutje të hedhet guri dhe të fshihet dora. Me fjalë të tjera, a duhet të dimë kah ta drejtomë gishtin: "kur do të bëjnë punë të mira, të themi janë bijtë tanë, kur do të bëjnë punë djalli, do të themi se janë djallit tanë". Një popull nuk mund të quhet i formuar nëse nuk e ka të zhvilluar sensin e vetëseleksionimit: ndarjen e shapit prej sheqerit. Është koha t'i themi "priftit prift e Zotit Zot", siç do të kishte thënë një ish-politikan kroat. Është koha të marrim përgjegjësinë mbi vete. Nuk ka nevojë Jankullovska ta ngrejë zërin, por shqiptarët ta drejtojnë gishtin kah vetja. E di se mund të më zihet për të madhe pse e përdori shumësin kur përmendi partitë politike. Por, rrota e demokracisë ka një të mirë: mundëson që herë njëra e herë tjetra parti të jetë sipër. Por, kur janë përsipër të mos të harrojnë se do t'u vijë koha të jenë nën. Nëse janë bindur në këtë, nuk duhet të shtrohet pyetje se a duhet të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike. Ajo duhet të jetë çështje për të cilën nuk diskutohet, por vetëm zbatohet. Shkurt, me zgjedhjet në pjesën shqiptare nuk duhet të udhëheqë as Fuere e as Jankullovska, por vetë shqiptarët. Hallka e parë dhe më e rëndësishme në një sistem demokratik ku sundon drejtësia dhe ligji janë zgjedhjet e lira dhe demokratike. Andej ne jemi ata që vendosim a do të përcaktohemi për çekanin e drejtësisë apo shkopin e policisë. Me zgjedhje të lira dhe demokratike mundësojmë të sundojë drejtësia, me zgjedhje ku përdoret forca instalojmë dhunën në pushtet. Nëse i dhunojmë zgjedhjet, Fuere do të shkruan raporte, Jankullovska do të ndajë drejtësi, e ne do ta kruajmë shpinën. Un nuk jam i gatshëm për këtë.

Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›