E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Edi Rama, skllav i krimit të organizuar”

15-09-2013 / Gazeta 55

Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha: “Programi i mazhorancës, pamflet urrejtjeje ndaj shqiptarëve. Shqipëria ka për kryeministër një albanofob, i cili bllokoi integrimin e Shqipërisë dhe përcolli frymë përçarëse në Kosovë. Ai do përgjigjet për megamashtrimet”

“Pamflet urrejtje ndaj opozitës dhe shqiptarëve”, e cilësoi ish kryeministri Sali Berisha programin e qeverisës të Partisë Socialiste. Gjatë fjalës së tij në seancën maratonë të Kuvendit, Berisha tha se kryeministri Rama u ka ofruar shqiptarëve një megamashtrim, për të cilin do japë llogari me çdo formë demokratike. “Programi që u paraqit këtu ishte çdo gjë tjetër, por veç program jo. Ishte një program alla- Papandreu që mashtroi grekët dhe në fund sillet në shkretëtirën e mashtrimit. Ky është një pamflet urrejtje ndaj opozitës dhe shqiptarëve. Nëse ju mashtroni shqiptarët dhe shkelmoni mbi besimin e tyre, atëherë ne do të udhëheqim shqiptarët. Ky është megamshtrimi më i madh, por në mënyrë demokratike në këtë vend do të vendoset dinjiteti juaj. Beteja është e fortë. Ke premtuar 300 mijë vende të reja pune dhe asnjë vend pune s’ke për të krijuar; ke premtuar uljen e çmimeve, por asnjë çmim s’ke për të ulur. Premtove sistem shëndetësor falas, por u talle me jetën dhe shëndetin e çdo qytetari shqiptar. Seancën e parë në këtë parlament, pas zgjedhjes së kryetarit të parlamentit, opozitës iu shpall luftë. Atyre të cilëve iu duket ky term i ashpër, iu them se ne në këtë parlament kaq hapësirë kemi. Jemi minorancë, kemi rregullore dhe një kod që rregullon marrëdhëniet tona. Por kjo rregullore u mënjanua dhe kjo mazhorancë tentoi të na impononte diskutimin e një dokumenti që s’e kishim parë kurrë me sy. Që s’ishte shpërndarë kurrë. Shpërndau nëpër media gënjeshtarë profesionistë që gënjenin dhe mashtronin shqiptarët. Në historinë e parlamentit pluralist, s’ka ndodhur kurrë që t’i kërkohet opozitës të votonte për një dokument që s’ishte parë kurrë. Kreu i mazhorancës, i cili është unik në Shqipëri, Ballkan dhe Europë lexoi këtu pamfletin e urrejtjes kundër opozitës. Ai shpalli këtu epokën e rrënimit, epokën tuaj, epokën e Shqipërisë demokratike, krahasoi 23 qershorin, me 22 marsin e përmbysjes së etërve të tij. Ndaj dhe ne, në një akt proteste, i dëshmuam zotërisë se ne nuk jemi ata që mendon ai dhe tani do t’i them në emrin tuaj, se ne jemi partia e vlerave demokratike. Ne nuk jemi të dërrmuar, ne jemi njerëzit e vlerave dhe parimeve. Ne kemi ndërtuar Shqipërinë. Ne anëtarësuam Shqipërinë në Këshillin e Europës; ne jemi lokomotiva e integrimit të këtij vendi, ndërsa ky që sot kryeson mazhorancën, lëshonte bilbila dhe bori në parlament, për të bllokuar marrëveshjen e stabilizim asociimit. Kur ratifikohej anëtarësimi në NATO, shpërndante trakte dhe pamflete kundër anëtarësimit të Shqipërisë. Shqiptarët kanë vuajtur më shumë se çdo komb tjetër, për të jetuar të lirë. Bënte çdo gjë që Shqipëria të mos merrte pyetësorin e liberalizimit të vizave. Bëri gjithçka që shqiptarët të mos përfitonin nga marrëveshja e liberalizimit të vizave. Dominoi albanofobia. Njeriu që sot kryeson këtë mazhorancë”- u shpreh Berisha. Ish kreu i PD theksoi se në programin e PS nuk thuhet asgjë për financat publike, inflacionin, rritjen e pagave dhe pensioneve, rritjen e PBB. “Ju jeni jashtë modelit. Për Shqipërinë kryesore është ekonomia. Asgjë më të rëndësishme s’ka, sesa masat ekonomike të Shqipërinë. Konferenca e para dyjavësh, e cila në ditën e parë ishte e përbërë nga një lukuni hajdutësh, por ekspertët e ekonomisë thanë se 95% e programit është dështim. Pse? Sepse këta s’marrin vesh asgjë. Me premtimet alla-Papandreu nuk mund të ketë asnjë shifër. Me rëndësi për vendin është ekonomia, financa, por ky sektor në programin e Ramës nuk ka as edhe një shifër. Në vend që të sulmoni opozitën, u thoni shifrat shqiptarëve. Hiqni dorë nga sharjet ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve”- tha Berisha. Ish kreu i PD i kujtoi kryeministrit Rama mungesën e transparencës së pasurisë së tij, pallatin 5 katesh në Tiranë dhe vilën në Dajt, para të cilat s’janë bërë asnjëherë transparente. Në këtë drejtim, Berisha akuzoi ministrat e qeverisë “Rama” si të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar. “Njeriu që sot kryeson mazhorancën është njeriu më i lidhur me çdo bandë të Shqipërisë. Ka emëruar minisutër të Rendit, njeriun e lidhur me bandat dhe krimin. Le të shkojë të marrë dosjen në prokurorinë e Firences, me bandën e Dritan Dajtit, me bandën që i vodhi Spartak Ngjelës 134 kuti votimi. Ti je skllav i krimit”- vijoi ai. Ish kryeministri Berisha tha më tej se qeveria e PD i dha Shqipërisë vepra të mëdha infrastrukturore siç është Rruga e Kombit, autostrada Tiranë-Elbasan; ndërsa veçoi si sukses luftën kundër korrupsionit dhe prokurimet elektronike 100%. “U ndërtuan dhe rindërtuan mijëra shkolla dhe kopshte. U realizua Shqipëria dixhitale, me shërbime të teknologjisë së lartë dhe po afrohet me nivelin evropian”, tha ai. Gjithashtu Berisha kujtoi edhe vizitën e Ramës në Kosovë, duke deklaruar se atje shpalosi urrejtje dhe injoroi kontributin e shqiptarit të madh, Ibrahim Rugova. “Çdo qytetar shtron pyetjen si ka mundësi që një njeri që u bë kryetar mazhorance, ka bllokuar integrimin e vendit të tij, ka shpalosur urrejtje ndaj shqiptarëve, të ndjellë urrejtje në Kosovë dhe të thotë se fajin e ka Saliu. Anashkaloi shqiptarin më të madh pas Skënderbeut, Ibrahim Rugovën. Shqiptari që projektoi atë që askush s’e besonte më parë, Kosovën e pavarur. Në atë sallë ku kanë fol Bill Klinton, Solana, nuk kanë guxuar të anashkalojnë Gandin e shqiptarëve, Gandin e Europës, shqiptarin e madh, Ibrahim Rugova. E bëre nga albanofobia. I përket atyre që thonë se qenia e shqiptarëve duhet shkelmuar”- tha Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›