E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisje ligjore drejt krizës greke

15-09-2013 / Gazeta 55

Një program alla-Papandreu fatkeqësisht është shndërruar në kursin zyrtar të qeverisë së Shqipërisë. Edi Rama i ka qëndruar besnik premtimit për ta shndërruar vendin tonë në një shtojcë të ekonomisë greke, përmes rrënimit të prodhimit vendas dhe shndërrimit të Shqipërisë në një republikë që vetëm importon. Nisja ligjore drejt krizës paralajmërohej dje formalisht edhe nga pinjollët-ministra të Bllokut, por opozita njoftoi se qëndresa e saj do të jetë në lartësinë e sfidës

Me PS-në, Shqipëria rrezikon të shkojë drejt një krize të pashmangshme ekonomike, shëmbëlltyrë e asaj që përjetoi dhe vazhdon të përjetojë fqinji ynë jugor, Greqia. Qeveria socialiste prezantoi dje në Kuvend një pseudoprogram, në tërësi fund e krye, një paçavure që i shkon për shtat një mendësie klienteliste që synon rrënimin ekonomik të Shqipërisë dhe varfërimin e shqiptarëve. Për orë të tëra, në një seancë maratonë të stërzgjatur, ministrat dhe deputetët e PS, e pranuan në unison se programi i tyre s’është gjë tjetër veçse një pamflet krize. Në tërësi, programi i Ramës është fotokopje e atij të ish kryeministrit grek, Jorgo Papandreu i cili me premtimet e tij “madhore” për parajsën greke, e çoi drejt Greqinë drejt një kolapsi të panjohur më parë. Por, Edi Rama është në rrugën e Papandreut dhe kjo është e kuptueshme në të gjitha stadet e deritanishme të prezantimit të platformës qeverisëse. Pra, një nisje e përligjur drejt krizës greke. Ndryshe nga premtimet elektorale, Edi Rama s’ka këllqet e një burri shteti, atë të Kryeministrit të vendit, që të dalë para shqiptarëve dhe tu thotë atyre se “ato që iu premtoi ishin mashtrime në këmbim të votave” dhe se programi i prezantuar në Kuvend nuk parasheh zgjidhjen e problemeve të tyre, por në radhë të parë pasurimin e grupit të klientelistëve që e rrethojnë atë. Ai s’ka këllqet e një burri shteti që të dalë dhe të thotë se, Shqipëria brenda pak muajve rrezikon kolapsin ekonomik. Edi Rama premtoi zgjidhjen e 1001 problemeve për shqiptarët. Si të mos mjaftojnë mashtrimet dhe gënjeshtrat, programi i PS karakterizohet edhe nga një frymë arrogance dhe arbitrariteti ndaj opozitës dhe qytetarëve. Nuk thuhet në asnjë rresht të këtij programi sesi do krijohen 300 mijë vendet e punës të premtuara gjatë fushatës elektorale. Si do realizohet dhe konkretizohet sistemi i shëndetësisë falas. Kush do ta mbulojë këtë faturë? A do hiqen taksat për biznesin e vogël, siç ka premtuar Rama? A do hiqen taksat për 95 të shqiptarëve? Për këto dhe shumë pyetje të tjera, s’ka përgjigje. Kryeministri Rama, por edhe ministrat e tij, nuk i japin dot përgjigje shqiptarëve, për gjithçka kanë premtuar afro 3 muaj më parë. Kjo është qeveria e premtimeve të pambajtura, e programit të gënjeshtërt. Padyshimin më të vogël që shqiptarët do përballen me efektet e këtij pseudoprogrami dhe më të prekurit do jenë qytetarët e thjeshtë, xhepat e të cilëve do përballen me krizën që sjell kjo qeveri e mashtrimeve. Ekonomia do shkojë drejt rrënimit, investimet as që llogariten, ndërsa pagat dhe pensionet s’janë pjesë e axhendës programore të qeverisë “Rama”. Në fakt, ai njihet si njeriu që ka urdhëruar deputetët e tij të votojnë kundër rritjes së pagave dhe pensioneve nga qeveria “Berisha”. Ka urdhëruar deputetët e tij të votojnë kundër investimeve të mëdha në infrastrukturë siç është Rruga e Kombit apo autostrada Tiranë-Elbasan. Në tërësi, qëndrimi i socialistëve dhe kryetarit të tyre Rama është dhe mbetet kundër progresit, kundër zhvillimit. Është në rrugën e shkurtër të qeverisë së Papandreut. Dhe të njëjtën gjë do ta vazhdojnë ta demonstrojnë edhe gjatë këtyre 4 viteve qeverisëse dhe për këtë s’ka pikë dyshimi. Me Edi Ramën dhe programin e tij alla-Papandreu, Shqipërinë e pret rrënimi. Viti Zero. Dhe kuptohet, Rama do të ketë edhe të tjera të përbashkëta me Papandreun...  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›