Edi Rama mbetet i huaj e i pabesë në Kosovë
Kryeministri i Shqipërisë përveç se zgjodhi 13 shtatorin apo “të premten e zezë” që të vizitojë Kosovën, foli “zi e terr” gjoja për bashkimin e shqiptarëve
Kryeministri I Shqipërisë Edi Rama, jo pa qëllim ka zgjedhur “të premten e zezë” më 13 shtator që të bëjë vizitën e parë të tij si kryeministër i Shqipërisë në Kosovë. Ai mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës në të cilin fjalim ka shpalosur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe opinionit në Kosovë fytyrën e tij të vërtetë prej një mjekërroshi, ideologjinë e tij neokomuniste dhe shpirtngushtësinë e tij.
Ai erdhi në Prishtinë dhe tregoi se mbetet i tillë, i parruar, i pacipë dhe shpirtvogël. Duke qenë mjekrosh nuk harroi që në fillim të fjalës së tij të citojë “babain e tij mjekrosh” Rexhep Qosjen në ndërkohë që si Enver Hoxha më shumë se gjashtë dekada më parë që u betua në besën komuniste të Miladin Popoviqit, edhe Edi Rama u tha deputetëve të Kuvendit të Kosovës se “mbetem i juaji me besë!”
Në fakt Edi Rama ka ardhur më në fund si kryeministër i Shqipërisë në Kosovë, sepse kështu vendosi elektorati i Shqipërisë më 23 qershor. Ai për shumë vjet, apo prej se ka hyrë në ujërat e politikës e ka pasur të ditur se për shqiptarët e Kosovës është një politikan i ftohtë, ndërkaq me veprimet e tij edhe si lider socialist por edhe si kryebashkiak i Tiranës e së fundi dhe si nënshkrues i koalicionit me LSI-në ka bërë veprimet më imituese për shqiptarët e Kosovës.
Në raport me Kosovën ai ka qenë me mish e me shpirt kundër ndërtimit të rrugës së kombit që lidh Shqipërinë me Kosovën. Këtë e ka bërë për inat të Sali Berishës por në këtë mënyrë ka hedhur gur mbi shqiptarët e Kosovës duke ua ndaluar atyre ardhjen në Shqipëri përmes rrugës së kombit për më pak se 3 orë prej Prishtine në Tiranë.
Në raport me shqiptarët e Kosovës ai ua ka plasur zemrën shqiptarëve të Kosovës duke e shpallur qytetar nderi dhe duke i dhuruar çelësin e kryeqytetit shqiptar Tiranës, këngëtarit më shovinist serb që ka kompozuar dhe kënduar himnet me të egra shoviniste serbe kundër popullit shqiptar, Goran Bregoviçit.
Dhe si për inat të shqiptarëve të Kosovës, në ceremoninë e nënshkrimit të koalicionit me LSI-në socialiste në qytetin e Shkodrës, Edi Rama nuk kishte harruar të thërriste për kumbar edhe serbin Boris Tadiç, i cili si president i Serbisë me qëndrimet e tij ndaj Kosovës dallonte me Milosheviçin vetëm për nga emri e mbiemri.
Me të gjitha këto “pesha të kryqit” në shpinë Edi Rama tentoi që me emocione të përvetësojë mendjet e shqiptarëve të Kosovës por në fakt te pjesa dërmuese e popullit shqiptar të Kosovës e shtoi edhe më shumë urrejtjen ndaj tij. Ai përmendi “babain e tij me mjekërr” Rexhep Qosjen por e harroi me qëllim arkitektin e pavarësisë së Kosovës presidentin historik Ibrahim Rugovën.
Ky gabim i kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës nuk është “lapsus lingua”. Është i qëllimshëm, është me prapavijë të theksuar politike për të madhëruar “mjekrroshët” e Kosovës e për të eliminuar të mëdhenjtë e popullit shqiptar, siç është Ibrahim Rugova.
Krejt në fund të të themi se Edi Rama nuk e ka shkruar këtë fjalim “emocional” të tij të cilin e lexoi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Dy prej tyre që mendohet se kanë dorë në këtë fjalim janë me mjekra, njërin e konsideron “baba të kombit” e tjetri e ka emëruar këshilltar politik për rajonin. Besoj se e dini për kë e kam fjalën!