E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Ekonomia jone nuk e njohu recesionin

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në çeljen e Panairit të parë Ndërkombëtar të Ndërtimit “RealEX 2011”, në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë.

Në këtë panair janë të pranishme më shumë se 60 kompani vendase dhe ndërkombëtare që merren me ndërtim apo me prodhimin dhe tregtimin e materialeve të ndërtimit, që do të ekspozojnë produktet dhe shërbimet e tyre në tregun shqiptar.

Kryeministri Berisha u ndal në tendat e ekspozuara në këtë panair, duke u interesuar dhe parë nga afër produktet dhe u informua nga drejtuesit e kompanive për shërbimet konkrete që ata ofrojnë.

Më pas, ai mori pjesë edhe në hapjen e Konferencës Ndërkombëtare të Ndërtimit dhe Investimeve.

Kryeministri vlerësoi organizmin e këtij panairi të fushës së ndërtimit, duke e cilësuar sektorin e ndërtimit si lider dhe promotor të zhvillimit të Shqipërisë.

Gjithashtu, ai falënderoi drejtuesit e bizneseve ndërkombëtare për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë në zhvillimin dhe transformimin e këtij vendi.

Kryeministri u shpreh se Shqipëria këto vite faktoi para shqiptarëve dhe biznesit ndërkombëtarë se modeli i saj ekonomik, është model suksesi.

“Ekonomia shqiptare, për 2-3 vite me radhë, ka qenë në krye të rritjeve ekonomike në Evropë dhe ajo nuk e njohu recesionin.

Kjo ka ardhur prej faktit se ekonomia shqiptare është e vendosur në parime të shëndosha tregu dhe se Shqipëria ka vendosur regjimin fiskal më të ulët”, tha ai.

Kryeministri shprehu edhe garancinë se qeveria shqiptare do të përpiqet çdo ditë të vendosë për biznesin kuadrin më të favorshëm ligjor.

Në këtë kuadër, ajo po përpiqet të krijojë me shpejtësi portalin zyrtar në shërbim të bizneseve, që mundëson nxjerrjen në dritën e diellit të gjithë plogështisë e burokracisë dhe vendosjen e sistemit në të cilin bizneset do të ndjekin çdo dokument që dorëzojnë në zyrat e administratës, në mënyrë që administrata të bëhet më e përgjegjshme ndaj çdo lloj qëndrimi që duhet të mbajë ndaj kërkesave të tyre.

Duke u ndalur në nismat e realizuara deri tani në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se është krijuar sporteli i vetëm për regjistrimin e biznesit, sporteli për licencat e lejet, po punohet me intensitet për krijimin e regjistrit të tokë, etj.

“Ne nuk jemi një ishull i izoluar, por ne do të bëjmë përpjekje të suksesshme e të përballemi me sukses edhe me këtë krizë të borxheve, krizë e cila në rrafshin kombëtar borxhi shqiptar nuk është problematik, është 57 për qind dhe do të mbetet kaq.

Borxhi shqiptar është një borxh beninjë, 35 për qind e tij janë në lekë dhe pjesa tjetër është me institucionet publike financiare ndërkombëtare.

Por pavarësisht kësaj, edhe në kontrollin e borxhit, me gjithë nevojat që kemi, ne do të bëjmë gjithçka; së pari në mos rritet, së dyti, sapo të na jepet mundësia e parë, të kompletojmë 2-3 projektet e mëdha që kemi në infrastrukturë, do të bëjmë çdo gjë që borxhi të zvogëlohet, raiting-u i sistemit bankar shqiptar të përmirësohet, kreditimi për ju të ketë norma të tjera interesi”, theksoi Berisha.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›