E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Arteve, shpallen rezultatet e konkurseve

SHKRUAN: Jonida Tashi 06-09-2011 10:59

Shpallen rezultatet e konkurseve të pranimit në Universitetin e Arteve. Mbrëmjen e djeshme, pas mbylljes së procesit të vlerësimit, Universiteti i Arteve ka publikuar zyrtarisht rezultatet e konkurseve për tre fakultetet e tij, që janë ai i Muzikës, i Artit Skenik dhe ai i Artit Figurativ. Këto rezultate i janë dërguar edhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve, e cila mbi bazën e rezultateve të arritura nga maturantët si dhe ato të provimeve të Maturës do të përcaktojë edhe se cilët do të jenë fituesit përfundimtarë në Universitetin e Arteve. Por, ajo që dihet tashmë është se mjaft prej kandidatëve që kanë marrë pjesë në konkurse e kanë kapërcyer pragun minimal të pikëve që duhen për t’u shpallur si fitues. Sipas përcaktimeve të bëra nga Ministria e Arsimit, numri maksimal i pikëve të konkursit, për të gjitha programet e studimit në Universitetin e Arteve është 240 pikë, ndërsa ai minimal është 60 pikë. Kandidati që nuk kalon pragun e pikëve minimale të konkursit të pranimit, nuk fiton të drejtën e studimit. Ajo që vihet re sipas rezultateve të arritura dhe numrit të pjesëmarrësve në konkurs, është se dega për të cilën do të ketë më shumë konkurrencë në Universitetin e Arteve do të jetë Piktura. Nga 53 kuota që janë miratuar këtë vit për këtë degë, në konkurs kanë marrë pjesë 136 kandidatë, të cilët e kanë kaluar që të gjithë pragun e pikëve, por një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë arritur të marrin edhe vlerësime të larta. Ndërkohë që tepër e vështirë gara duket edhe për kandidatët e degës Regji Filmi dhe TV, si dhe Aktrim për të cilat numri i kuotave është tepër i kufizuar, 6 për të parën dhe 10 për të dytën, ndërsa në konkurse kanë hyrë mbi 20 kandidatë. E njëjta situatë qëndron edhe për degët e Fakultetit të Muzikës, për të cilat kuotat e kufizuara nuk përputhen me kërkesat e studimit. Këtë vit, raporti i pikëve Maturë-Konkurs për të gjitha degët e Universitetit të Arteve, ndryshe nga më parë, do të jetë 30% për të parën dhe 70% për të dytin, çka do të thotë një rritje e peshës së provimeve të Maturës me 10% krahasuar me një vit më parë. Sipas urdhrit të firmosur nga rektori i Universitetit të Arteve, Petrit Malaj, në zbatim të udhëzimit të MASH “Për zhvillimin e konkurseve të pranimit, tarifën e regjistrimit për konkurrim në disa programe studimi të ciklit të parë me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë, viti akademik 2011-2012”, në të gjitha programet e studimit në Universitetin e Arteve, rezultatet e shkollës së mesme do të llogariten në masën 30% dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 70%. Me rezultate të shkollës së mesme do të kuptohet nota mesatare e katër ose pesë viteve të shkollimit dhe katër provimet e Maturës Shtetërore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›