Berisha: Fermerët shqiptarë e përdorin internetin në mënyrë të shkëlqyer

"Mendjen e kam tek Facebook-u"
Kryeministri Sali Berisha mblodhi sot ministrat dhe drejtuesit e agjencive qeveritare për tu kërkuar që me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë tu dhurojnë qytetarëve Shqipërinë dixhitale. Ai tha se tani e tutje do ketë një administratë dixhitale. Madje kryeministri mbrojti një nisëm të para pak kohësh për dixhitalizimin e bujqësisë. Nisma, e cila u prit me humor, ka nxitur kryeministrin që të shpjegojë se: Fermerët shqiptarë e përdorin internetin në mënyrë të shkëlqyer. Berisha tha se ata e përdorin për qëllime të tjera, por Genc Ruli si ministër i Bujqësisë duhet të mundësojë që ata ta përdorin në funksion të punëve të tyre. Berisha i tha Rulit se ai duhet tu ofrojë fermerëve shqiptarë të gjithë të dhënat satelitore në mbështetje të tyre.
Para pak kohësh Berisha kërkoi nga Ruli dixhitalizimin e bujqësisë.
Qeveria duhet të ndërmarrë një përpjekje të dytë madhore për transformimin rrënjësor të këtij sektori në Shqipëri. Shqipëria është një vend ndër më të përshtatshmit, me një ultësirë bregdetare që mbillet gjithë vitin. Ka prodhime në çdo stinë. Me një biodiversitet të jashtëzakonshëm, që lejon të rriten të gjithë drurët frutorë. Zoti ministër i Bujqësisë, është në detyrën tuaj të ndërmarrë shtrirje dhe dixhitalizimi total i bujqësisë shqiptare. Fermeri shqiptar duhet të disponojë online gjithçka i duhet atij për fermën e tij. Ministria duhet të identifikojë praktikat më të avancuara që ekzistojnë sot në moshën dixhitale të këtij sektori, tha Berisha.