Berisha: Fidanët e ullirit të jepen falas
Fidanët e ullirit tu jepen falas fermerëve. Në vijim të propagandimit të idesë së tij për mbjelljen e ullinjve, kreu i qeverisë inspektoi dje impiantin e prodhimit të fidanëve të ullirit pranë Ekonomisë Didaktike Eksperimentale të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ky impiant, me sipërfaqe 4000 metra katrorë dhe i standardeve europiane, është financim i buxhetit të shtetit, me vlerë 53 milionë lekë. Impianti do të shërbejë për shtimin e kultivarëve autoktonë, të pastër nga viruset dhe që mbartin cilësitë më të larta biologjike e agronomike, të cilët i përkasin zonës së Lezhës, Tiranës, Krujës dhe Elbasanit. Jemi në fillime të një Shqipërie tjetër, e cila vitet që vijnë, dora-dorës do të bëhet kopshti më i bukur e më i madh i drurëve frutorë në Europë, tha Berisha. Ai u shpreh se fidanët e parë të ullirit janë të gatshëm për treg dhe, nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë, ata do tu jepen falas fermerëve të zonës së Shqipërisë së Mesme.