E Shtunë, 31 Tetor 2026

OMONIA: Dënimi i Dishos, sulm ndaj minoritetit

Naum Disho

KORÇE- Vendimi i Gjykatës për dënimin me një vit burg të kreut të OMONIA-s së Qarkut Korçë, Naum Disho, me akuzën e dhunimit të varreve të fshatit Boboshticë, është konsideruar nga ana e kësaj organizate si një sulm ndaj minoritetit grek. Ky vendim, është një sulm i hapur ndaj të gjithë vllahofonëve dhe minoritetit grek në Korçë, u shpreh nënkryetarja e OMONIAS-s, Eleni Kotelli. Në këtë deklaratë, e cila u lexua në prani të kreut të OMONIA-s Naum Disho, por edhe të disa anëtarëve të tjerë të kësaj organizate, vendimi i gjykatës është konsideruar si një sulm i pa precedent ndaj minoriteti grek në Korçë. Me vendimin për dënimin e kreut të OMONIA-s të qarkut të Korçës, Naum Disho, drejtësia ka treguar njëanshmëri, duke u ndikuar nga mediat dhe origjina greke e Dishos. Ka sulme të vazhdueshme ndaj minoritetit grek në Korçë, shtoi më tej Kotelli. Sipas saj. qëllimi i këtij vendimi nuk është çështje personale kundrejt figurës së Naum Dishos, por kundër elementit vllahofon në Korçë, që ngritën kokën dhe kujtuan rrënjët e tyre greke. Drejtësia në këtë vend është duke vepruar me njëanshmëri. Nga njëra anë dënon kryetarin e OMONIA-s për gjoja dhunim të varreve të Boboshticës, por nga ana tjetër nuk merr si të pandehur askënd për zjarrëvënie të qëllimshme nga provokatorë të panjohur ndaj kurorave të vendosura në memorialin e dëshmorëve grekë të 40-ës. Ky rast, së bashku me atë të vrasjes së bashkëpatriotit tonë të Himarës, Aristotel Guma, përbëjnë dy shembuj të qartë të kësaj fushate kundër nesh, thuhej në deklaratën e OMONIA-s.      g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›