Topi: Gjërat nuk janë në dorë të fatit, tani janë në dorë të profesionistëveNga TemaPresidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi dje paradite zonat e përmbytura nga reshjet e ditëve të fundit në Ishull-Shëngjin të Lezhës, si dhe nga vërshimi i ujërav
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Topi: Gjërat nuk janë në dorë të fatit, tani janë në dorë të profesionistëveNga TemaPresidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi dje paradite zonat e përmbytura nga reshjet e ditëve të fundit në Ishull-Shëngjin të Lezhës, si dhe nga vërshimi i ujërave të lumit Bunë, në komunën më të dëmtuar deri tani, në Dajç të Shkodrës. I shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade, Maksim Malaj, kryetari i komunës Dajç, Arben Gjurja, si dhe anëtarë të kabinetit të tij, kreu i shtetit shqiptar dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, u njoh nga afër me dëmet e shkaktuara dhe me situatën emergjente.
Topi kërkoi që të ketë një bashkërendim të punës së institucioneve për të dalë nga kjo situatë, ndërsa bëri thirrje që banorët të evakuohen.
“Kushtet e motit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë specifike, madje ju e dini që edhe në traditën qindravjeçare të kësaj zone, ndryshe nga zonat e tjera të territorit shqiptar, ku sipas profesionistëve sasitë mesatare vjetore të reshjeve janë rreth një mijë milimetra, këtu shkojnë tetëqind deri në një mijë milimetra më shumë se mesatarja vjetore. Kemi pasur edhe në retrospektivë situata të ngjashme, por sot jemi në një moment kur duhet të flasim për aktualitetin.
E kemi ndjekur me shumë shqetësim situatën dhe vazhdojmë ta ndjekim, por gjëja më e rëndësishme është që duke e ditur dhe duke e parashikuar edhe mbi bazën e mjeteve të informacionit meteorologjik, por edhe mbi bazën atyre që thonë profesionistët dhe institucionet, ku duhen parë gjërat në mënyrë thelbësore, integrale, pra çështja e reshjeve, çështja e përmbytjeve, por edhe çështja e reagimit të digave. Kjo kërkon patjetër një lloj mirëkuptimi. Situata të tilla emergjente kanë nevojë për një motivim të të gjithëve pa përjashtim, por kërkojnë patjetër edhe maturi dhe qetësi. Situata emergjencash nuk mund të kalohen me panik. Situata emergjencash, me një ndërgjegjësim të të gjithëve dhe me një bashkëveprim për t’i kapërcyer, natyrisht që do të kalojnë”, - tha Topi.
“Gjërat nuk janë në dorë të fatit, tani janë në dorë të profesionistëve, të institucioneve dhe apeli më i rëndësishëm që unë dëshiroj të jap është ai që ka të bëjë me jetët e njerëzve. Të gjithë banorët e zonës kanë marrë apele nga autoritetet, kanë dëgjuar apele dhe nga specialistët e fushës, të cilët e njohin më mirë situatën, e dinë që situata do të vijë duke u përkeqësuar për sa i përket sasisë së ujit, i cili është i detyruar që të shtohet”, - vijoi më tej kreu i shtetit.
Presidenti bëri apel dhe ndaj medies që japë informacionin real, por të butë. Topi tha se për këtë zonë ka pasur studime, por parciale, tani është nevoja që të ketë studime integrale.