Berisha: Fitore historike si 20 vjet më parë. Ne dimë të bëjmë koalicion fitues
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike e ka nisur mbledhjen me një minutë heshtje për viktima e sulmit në Norvegji.
Më pas kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij, tha se fitorja e 8 majit, ishte fitore historike. Edhe pse në fakt përdori fjalën 8 korriku më shpesh se tetë maji, Berisha tha se në atë PD fitoi zgjedhjet, kurse në Shqipëri triumfoi shteti ligjor. Berisha tha se gjykatësit e Kolegjit Zgjedhor vendosën si gjykatësit në Perëndim. Ai shtoi se zgjedhjet e këtij viti ishin një fitore e thellë si 20 vite më parë. Berisha tha se 20 vite më përpara u rrëzua diktatori, tani u rrëzuan pinjollët e tij. Kryeministri sulmoi ashpër mënyrën se si është zhvilluar Tirana këto 20 vite. Ai nuk foli asnjëherë për fitore të PD, por fitore të koalicionit. Berisha tha se shqiptarët kërkojnë koalicionin, dhe ai ka ditur të ndërtojë një të tillë. Kryeministri u shpreh se ndryshe nga kundërshtari i tj, ai u la aleatëve të tij 10 herë më shumë zona të lira në zgjedhje. Më poshtë gjeni pjesë nga fjala e Berishës përpara Këshillit Kombëtar:
Jemi mbledhur sot pas përfundimit të zgjedhjeve të tetë korrikut, për një analizë të këtyre zgjedhjeve në tërësi, dhe ashtu siç kishim vendosur në mbledhjen e fundit të KK, për zgjedhjen e kryesisë së PD. Më tetë korrik përfundoi procesi i zgjedhjeve të tetë majit. Për PD, aleatët e saj, ky ishte procesi më i bukur i zgjedhjeve vendore. Ishte procesi më unik në disa aspekte. Ishte procesi më historik që nga zgjedhjet e vitit 1992. Zgjedhjet e tetë majit, shënuan fitoren e katërt radhas të PD dhe aleatëve të saj. Pas fitores së vitit 2005, 2007, 2009, erdhi dhe kjo si një kurorë fitoreje tjetër elektorale të shkëlqyer.
Zgjedhjet vendore të tetë majit, janë zgjedhje në të cilat qytetarët shqiptarë votuan më masivisht se kurrë, votuan të sigurt dhe më me dinjitet se kurrë në historinë e tyre. Zgjedhjet e tetë majit për PD dhe aleatët e saj ishin fitorja e madhe e besimit të qytetarëve për qeverisjen e mazhorancës së tyre, për projektin e tyre Shqipëria, vendi i zhvilluar.
Në këtë kontekst, më tetë maj të vitit 2011, PD dhe aleatët e saj, shënuan në rrafshin e votëbesimit një fitore më të thellën në historinë e zgjedhjeve vendore. Në këto zgjedhje, qytetarët shqiptarë votuan për Aleancën për Qytetarin dhe PD që udhëhoqi këtë aleancë, 17 përqind më shumë, 140 mijë vota më shumë sesa për Aleancën e Vetmisë së Madhe, ose Aleancën e Kazanit. Në këto zgjedhje, PD dhe aleatët e saj, fituan në 219 komuna e bashki të vendit, kundrejt 149 komuna e bashki të vendit që fitoi Aleanca e Vetmisë së Madhe. Në këto zgjedhje, Aleanca për Qytetarin për ata që kanë pasion analizat, duhet tu them se në zgjedhjet e tetë majit, për Aleancën për Qytetarin votuan më shumë në bashkitë e vendit 48 mijë vota. Ndërsa për kryetarët e komunave e bashkive, Aleanca për Qytetarin mori 41 mijë vota më shumë. Pra, në rrafsh kombëtar, të konvertuara në sistem, Aleanca për Qytetarin, ka marrë rreth 17 deputetë më shumë me koston e deputetit socialist, që është 9 mijë vota në parlament. Me koston e deputetëve tanë, kemi marrë 14 deputetë më shumë.
Kjo ishte përgjigja dinjitoze, e vendosur, e qytetarëve shqiptarë, në referendumin mbarëpopullor të shpallur para shqiptarëve nga Aleanca e Kazanit. Fitorja është historike, sepse kurora e saj, është zemra e Tiranës, është kryeqyteti në tërësi. Pas 11 vitesh, PD rikthehet fuqishëm në djepin ku lindi, në djepin ku u themelua, në djepin ku u lartësua me shpejtësi të madhe si forcë politike kryesore e vendit. Rikthehet në vendin ku shpalosi përmbysjen e një sistemi të vjetër. Beteja u zhvillua njëlloj si 20 vjet më para, në rrugët e rrugicat e Tiranës. Kjo është e vërteta. Tirana, tironsit, kryeqytetasit, votuan me 10.900 vota më shumë Aleancën për Qytetarin në katër gara të marra së bashku. Ky është një zhvillim historik për Tiranën dhe mbarë vendin. Në Tiranë u përball kultura e qytetarit me kulturën e kazanit, të sharjeve dhe shpifjeve. Qytetarët votuan kulturën e qytetarit. Morali qytetar u përball me mafien më të rrezikshme dhe tentakulat e saj, që për 11 vite e mbërtheu qytetin në mënyrën më të pamëshirë. Këto klane bënë gjithçka që vullneti i qytetarëve të mos triumfojë. Bënë çdo gjë, që të mbanin Tironën nën kthetrat e tyre. Gara në Tiranë ishte e ngushtë, por ne kërkuam që të mbrohet çdo votë, të vlerësohet çdo votë. Ky ishte dhe do jetë parimi themelor. Në këtë garë të ngushtë, zoti Rama kërkoi me dhunë dhe terror, me kërcënime primitive ndaj drejtuesve të institucioneve të pavarura, me çdo kusht që tu impononte shqiptarëve një rezultat paraprak si rezultat përfundimtar. Por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do ndodhë kurrë përsa kohë kjo forcë politike do i besojë votës së lirë. Për të mposhtur vullnetin e qytetarëve u rrethua KQZ për ditë me radhë, u kërcënuan fizikisht drejtuesit e këtij komisioni, u nis një breshëri ultimatumesh, ndërsa ne ishim të vendosur të mbronim votën. Nëse nuk do mbronim votën, ne nuk e meritojmë të ekzistojmë.
U krijuan skena nga më primitivet, që duan kohë të shlyhen nga kujtesa e shqiptarëve dhe Europës. Për ne ka rëndësi mbizotërimi i shtetit ligjor. Ndonëse ligji nuk detyron shpalljen e rezultatit paraprak, ne e pranuam.
Numërimi i votave të hedhura gabim nuk është ekzotike në historinë e botës. Votat e hedhura gabim janë një dukuri e rëndomtë në SHBA. Janë frekuente në Britani, janë një seri shtetesh tjera. Ne pa asnjë mëdyshje, marrim shembullin e tyre. Në një takim me një grup miqsh, unë deklarova: zotërinj, ne frymëzohemi, marrim shembullin tuaj. Ky është avantazhi ynë i madh në ndërtimin e demokracisë. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera, rezultatet e ndryshuara me këto vota, kanë shkuar në gjykata. Për këtë Rama duhet përgëzuar. Askush nuk ka autoritet të përjashtojë votat e qytetarëve të vendit të vet, ku është shprehur qartë vullneti i tyre. Në këto zgjedhje shënuam një triumf të vërtetë, jo vetëm të projektetit të Aleancës për Qytetarin, por edhe triumf të shtetit ligjor, të institucioneve të pavarura e kushtetuese, të cilat numëruan çdo votë, njësoj si në demokracinë më të madhe në botë.
Ju e patë, edhe vota e presidentit u gjet aty ku ishte.
Institucionet kushtetuese të vendit pasqyruan doktrinën elektorale të Shqipërisë dhe shqiptarëve. KQZ nuk ndryshoi asnjë rregull të vetëm loje. Zotërinjtë që pretendojnë këtë e kanë imagjinatë. Gjykatësit vepruan njësoj si gjykatësit e vendeve të përparuara.
Beteja e tetë majit u zhvillua në mbarë Shqipërinë, por njësoj si njëzet vjet më përpara, ky kryeqytet do nxirrte në pension diktatorin, pas 20 vitesh i dha përgjigje pinjollëve të tij. Ai e shndërroi Tiranën në kryeqytetin e kohës së ndaluar, e rrënimit urbanistik. Zhduku të gjitha parqet, gjelbërimin, shërbimet, dhe e katandisi në një kështjellë betoni. Unë sot këtu para jush dua të falënderoj me mirënjohje të thellë të gjithë anëtarëët, simpatizantët, zgjedhësit, drejtuesit e PD, në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, për punën e tyre të jashtëzakonshme që bënë, arkitektë të një fitoreje të mahnitshme. Dua të falënderoj me përzemërsi zgjedhësit në tërësi, kandidatët e Partisë Demokratike për fushatën e shkëlqyer që bënë, për fitoren e tyre. Mirënjohje të thellë të gjithë aleatëve të Partisë Demokratike, koalicionit më të fuqishëm që vendi ka njohur.
Dua të falënderoj të gjithë, edhe kandidatët që humbën. Nuk jemi ne parti e persekutimit. Mos të harrojmë se humbja e tyre nuk mund të personalizohet. Humbja e tyre është një objekt që do diskutohet. Ata vetë bënë një punë të madhe. Në politikë nuk ka fitore të përjetshme e as humbje të përjetshme. Dua të falënderoj të gjithë fitimtarët e çdo spektri dhe ti garantoj se si kryeministër do punoj me përkushtim të madh në projektin