E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhje të reja në nëntë komuna

Të dielën e fundit të korrikut do të votohet sërish. Bëhet fjalë për 9 komuna në të disa qarqe të vendit, ku do të përsëriten zgjedhjet për shkak se më 8 Maji ose nuk u votua fare ose sepse më pas procesi u dëmtua dhe gjykata vendosi pavlefshmërinë e tyre. Fillimisht ka qenë Kolegji Zgjedhor ai që vendosi dje të miratojë aktin e përgatitur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve edhe në tri komunat e fundit, në Pishaj, Mollas dhe Shllak, ku nuk u votua fare më 8 Maji për shkak të ngatërresave me fletët e votimit. Më parë ky kolegj kishte vendosur për pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve edhe në 6 komuna të tjera, Shllak, Papër, Zall Dardh, Armen, Shal dhe Finiq, ku megjithëse më 8 Maj u votua, gjatë hetimit administrative dhe atij gjyqësor u konstatuan shkelje të rënda që ndikonin në rezultat. Me përmbylljen e procesit gjyqësor, Komisioni Qendror është mbledhur dje pasdite dhe ka vendosur që këto 9 komuna t’i çojë në votime të dielën e 31 korrikut. Për këtë qëllim KQZ ka miratuar dhe një akt me disa pika, ku veç datës së votimit janë përcaktuar dhe disa elementë të tjerë të domosdoshëm për mbajtjen e zgjedhjeve. Kështu, në total për të 9 komunat e mësipërme do të votohet në 102 qendra votimi. Vulat do të jenë thuajse të njëjta me ato të 8 majit, veçse në to do të shtohet germa “P” që tregon se janë zgjedhje të përsëritura. Shoqëria që prodhoi fletën e votimit të 8 majit do të bëjë dhe prodhimin e fletëve të reja të votimit që do të jenë me të njëjtën ngjyrë dhe format si të parat. Lidhur me këtë çështje anëtari i KQZ-së, Pandeli Varfi, ngriti shqetësimin se fleta e votimit në këtë rast duhet të ishte me një ngjyrë tjetër, çka, sipas tij, bën të mundur që të shmangen mundësitë e manipulimit. Kërkesë kjo që nuk u morr parasysh nga shumica e KQZ-së, si dhe administrata. Tashmë KQZ duhet të lajmërojë si KZAZ-të që të rinisin punën, ashtu edhe forcat politike që të paraqesin anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit. Nuk dihet ende nëse opozita do të paraqitet të marrë pjesë në këto zgjedhje, megjithëse dje në mbledhjen e KQZ-së përfaqësuesit e saj nuk janë paraqitur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›