“Bashkëpunimi me PD-në, së pari për reformën kushtetuese”
Miratimi i ligjeve me shumë të cilësuar mund të shkëmbehet nga PS-ja me votimin e ndryshimeve në Kushtetutë. Kështu, ky duket se do të jetë kushtëzimi që Partia Socialiste do të bëjë në këmbim të votave deputetëve të saj në Parlament për ligjet që kërkojnë 84 vota apo edhe të reformave integruese të vendit. Një gjë të tillë ka lënë të kuptohet dje sekretari për çështjet elektorale në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, Armando Subashi, i cili i pyetur për ndryshimet në Kodin Zgjedhor ka sqaruar se më parë duhet të miratohen ndryshimet në Kushtetutë dhe më pas të miratohen të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, përfshi këtu edhe ndryshimet në ligjin zgjedhor. “Ka ardhur koha që, nëse bëhet fjalë për një bashkëpunim real midis palëve, ndoshta do të jetë shumë e nevojshme që gjërat të shikohen me shumë qetësi, me shumë maturi dhe sigurisht duke e zhveshur veten nga të gjitha interesat e momentit në formulimin dhe në miratimin e ligjeve shumë të rëndësishme, duke filluar që nga Kushtetuta e me radhë, pastaj të gjitha ligjet e tjera që kanë të bëjnë qoftë me Kodin Zgjedhor, qoftë me sistemin e drejtësisë e shumë ligje të tjera, që sigurisht jo rastësisht kërkojnë një shumicë të cilësuar nga Parlamenti”, - tha Subashi dje për mediat. Megjithatë ai ka bërë të qartë se për këtë më parë duhet të vendosin strukturat e partisë, të cilat duhet të përcaktojnë edhe strategjinë që duhet të ndiqet në vijim. “Kjo do të jetë pjesë e një strategjie që do të përcaktohet nga strukturat më të larta të PS-së. Unë mund të përsëris atë që ka thënë edhe kryetari i PS-së, që ka ikur koha e arnimeve apo e ndërhyrjeve pjesore në legjislacionin shqiptar, sepse gjithë përvoja e këtyre viteve ka treguar që me ndërhyrje rastësore, me ndërhyrje të momentit, me ndërhyrje pa vizione të qarta për të ardhmen, çdo procedurë e tillë është e dështuar dhe nuk jep rezultat”, - u shpreh më tej deputeti socialist. Pikërisht kjo çështje, pra ndryshimet kushtetuese, pritet të vihen në qendër të debatit politikë ditët apo muajt e ardhshëm. Megjithëse mazhoranca e bëri të ditur qëndrimin e saj refuzues ndaj një ndërhyrjeje të re në ligjin themeltar të shtetit, ajo do të jetë e detyruar që për të miratuar të gjitha ligjet të mund të hyjë në bisedime edhe për këtë çështje.