E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Frattini: Italia, 51 milionë euro për projektet shqiptare

Italia ofron 51 milionë euro financime për projektet shqiptare. Kooperacioni Italian për Zhvillim në Shqipëri do të financojë për një periudhë 3-vjeçare një shumë prej 51 milionë eurosh për projekte të ndryshme që qeveria shqiptare i ka të përcaktuara si prioritare në strategjinë e saj kombëtare të zhvillimit dhe integrimit. Zërat për të cilët do të shkojë kjo shumë, janë të përcaktuar qartë në protokollin e firmosur këtë të hënë nga ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Frattini, dhe homologu i tij shqiptar, Ilir Meta, në praninë e Kryeministrit Berisha. Kreu i ekzekutivit shqiptar vlerësoi ndihmën që i është dhënë Shqipërisë ndër vite nga Italia dhe ka përfituar për të ftuar biznesin italian që të investojë në Shqipëri, në vendin e vogël të mundësive të mëdha, siç e quajti ai. "Shpreh mirënjohjen time të thellë për ndihmën e çmuar që i jepet vendit tim me nënshkrimin e këtij protokolli bashkëpunimi. Janë 51 milionë euro që do të shkojnë për sektorë të ndryshëm. Do të doja të shpreh gjithashtu kënaqësinë për zhvillimet e fundit ekonomike mes 2 vendeve tona. Vitin e shkuar ne kemi nënshkruar afro 4 miliardë euro investime italiane në Shqipëri, investime të fokusuara kryesisht në sektorin energjitik. Italia është partneri ynë kryesor. Kompanitë italiane kanë projekte ambicioze investimesh në vendin tonë. Vërtet Shqipëria është një vend i vogël, por ju siguroj është vendi i mundësive të mëdha për investitorët e huaj, në mënyrë të veçantë në fushën energjitike", - theksoi z. Berisha. Nga marrëveshja, 28 milionë euro janë parashikuar si kredi ndihmë; 3 milionë euro grant; 20 milionë euro në formën e konvertimit të borxhit. Këto burime do të përqendrohen në sektorët: zhvillimi i sektorit privat; bujqësia dhe zhvillimi rural; zhvillimi social (arsimi, shëndetësia, politikat e punësimit). Përveç nga sa programohet në këtë protokoll, Kooperacioni Italian për Zhvillim në Shqipëri do të mund të financojë edhe bursa studimi në favor të qytetarëve shqiptarë për frekuentimin e kurseve universitare dhe pasuniversitare në Itali si dhe projekte të tjera bashkëpunimi që do të realizohen në Shqipëri nga organizma ndërkombëtarë, institucione financiare ndërkombëtare, organizata joqeveritare (OJQ) italiane dhe nga Kooperacioni i Decentralizuar Italian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›