Ministria: Do të rrisim investimet për shërbimin e urgjencës
Spahia: Niveli profesional i personelit të urgjencës, jo në shkallën e duhur
Shërbimi i urgjencës në kryeqytet, por edhe në rrethe dhe problemet me të cilat haset ai kanë qenë në qendër të diskutimeve të zhvilluara dje në Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Në mbledhjen e zhvilluar dje, ku ishte i pranishëm dhe zëvendësministri Bardh Spahia, mjekë nga disa spitale të vendit kanë diskutuar gjerësisht për problemet e tyre. Numri dy i shëndetësisë, Bardh Spahia, në prani të deputetëve në Komisionin e Shëndetësisë ka treguar të gjitha hallkat ku çalon shërbimi i urgjencës. Ndërsa kreu i Komisionit Parlamentar, Tritan Shehu, pohoi se duhet të krijohen shërbime paralele të traumës. Ai rekomandoi gjithashtu që të vihen sa më shpejt në dispozicion 7 sallat e operacioneve që priten të ngrihen në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Diskutimet
Nga vlerësimi i bërë rezulton se ka shfrytëzim të ulët të shërbimit të urgjencës mjekësore, nivel profesional jo në shkallën e duhur i personelit, mungesë e standardizimit e mbajtje jo e mirë e të dhënave për pacientin, - u shpreh Spahia. Në qershor pritet të hapet spitali i ri, ku shërbimi i parë që do të instalohet në të, është ai i urgjencave dhe në një fazë të dytë do të bëhet kalimi i shërbimit të reanimacionit. Shefi i këtij pavijoni, Ilir Ohri, tha se për këtë fazë të dytë nuk ka personel dhe kërkohet rritje e buxhetit. Nëse do të mendojmë të nisim punën në qershor, aty do të punojnë mjekë, infermierë dhe duhet një buxhet. Nga do të paguhen ata? Nëse nuk nxirret norma që duhet, atëherë ky projekt mund të dështojë, - u shpreh Ohri. Ndërkohë që shefi i shërbimit të reanimacionit në Spitalin Ushtarak, Mihal Keci, kërkoi që qendra e traumës në Spitalin Ushtarak të kthehet në një shërbim civil dhe të mos jetë më në varësi të ushtrisë. Keci pohoi se është e nevojshme që ndihma e parë e specializuar të mund të jepet edhe jashtë spitalit, çka do të shmangte shumë probleme për pacientët me trauma. Këtë qëndrim të tij e mbështeti dhe kreu i komisionit, Shehu. Sipas tij, është e nevojshme që të ngrihet shërbimi i traumës dhe në QSUT po ashtu dhe në spitalin e Durrësit, i cili për nga mënyra e ndërtimit mund të merret si model. Shehu rekomandoi gjithashtu që ti kushtohet një rëndësi shumë e madhe mënyrës së koordinimit të shërbimit parësor. Po ashtu, theksoi deputeti demokrat, ka një rëndësi dhe urgjenca lëvizëse. Madje, Shehu i rekomandoi zëvendësministrit që kjo urgjencë të jetë unike për Tiranën dhe Durrësin. Ndërkohë që mjeku i spitalit të Durrësit, Arben Babushi, ngriti si probleme kryesore mungesën e një koordinimi të plotë brenda spitalit si dhe mungesën e rezervave të gjakut. Sipas tij, urgjenca e Durrësit shpesh është hasur me këtë problem, sepse ndërsa në shërbimet e tjera kjo zgjidhjet me dhurimin e familjarëve, në urgjencë kjo është e pamundur. Me anë të një granti japonez, 14 qendrat e urgjencave në rrethe do të pajisen me aparatura të specializuara për të ofruar një shërbim cilësor për pacientin. Ndërsa qeveria italiane ka ndihmuar me 4.25 milionë euro për ndihmë teknike. Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që të hapë një degë të re në Fakultetin e Mjekësisë për degën e Mjekut të Urgjencës për të plotësuar kërkesat e shërbimit të urgjencave.