Berisha: Fushata elektorale, suksesi i radhës i mazhorancës. Asnjë fjalë për Albpetrolin
Kryeministri Berisha ka inaguaruar sot rrugën Ura e Mesit-Prekal, në Postribë të Shkodrës. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha ka sulmuar opozitën se po ofron modelin marksist për shqiptarët ndërsa u shpreh optimist se zgjedhjet e reja do të jenë një sukses i radhës për mazhorancën.
Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria i shpërtoi krizës ekonomike globale falë modelit të suksesshëm të ndërmarrë nga qeveria.
Shqipëria e ndjehu krizën botërore ekonomike por nuk u zhyt në këtë krizë. Modeli ynë ekonomik i suksesshëm pasi ndoqëm modelin e taksave të ulta ndërsa modeli tjetër që ofrohet është ai marksist, që i bëri të vuajnë shqiptarët. Ne po shkojmë drejt një fushate elektorale e cila është suksesi i radhës pasi ne investojmë ndërsa ata kanë vizionin e bllokimit theksoi Berisha.
Gjithashtu kreu i qeverisë theksoi se rruga Ura e Mesit-Prekal, në Postribë të Shkodrës do të lehtësojë transportin e prodhimeve bujqësore si dhe do të ndikojë dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve të kësaj zone.
Këto investime kanë si qëllim hapjen e vendeve të reja të punës. Po ndërtojmë rrugë në të 4 anët e vendit ndërsa ia dolëm të ndezim garën përndërtimin e HEC-ve shtoi kryeministri.
Sakaq, kryeministri Berisha ka vijuar heshtjen e tij për privatizimin e Albpetrol, duke mos thënë asnjë fjalë edhe sot, pavarësisht se oferta prej 850 milionë euro konsiderohet si një sukses i madh dhe shifër e pabesueshme. Mbetet ende mister përse Berisha nuk po flet për këtë privatizim, kur dihet që ai flet edhe për investimet më banale në këtë vend.