Rexhep Qosja fyen sidomos viktimat e diktaturës
Në një intervistë televizive “akademiku” Rexhep Qosja lavdëroi “veprat” e satrapit Enver Hoxha. Shqipëria u çudit, kur dëgjoi se me ç’entuziazëm ai numëroi bëmat e këtij balozi. Sepse “akademiku” u shfaq si një “prokuror”, që po u rilexonte viktimave të diktaturës pretencat “me vdekje” të xhelatëve komunistë. Sikur, i pikëlluar për mallkimet e tyre ndaj një vrasësi, po nxirrte mllefin e vet kundër atyre, që ia përbuzin idhullin. U çudit Shqipëría e vuajtur se si Rexhep Qosja, ky avokat shpirtzí, shkumëzoi të lartësonte “veprat” e një diktatori, duke u tallur kështu me qëndresën burrërore të Shqipërísë së martirizuar. Dhe viktimave të gjalla, por sidomos atyre që dergjen pa një varr, iu duk sikur “humanisti” Qosja u tha : ”Mirë jua bëri, meqë guxuat t’ia përbuznit mizoritë !”. Dhe historiani u shfaq aty si një liliput, që më kot tentoi t’ia ndotëte fisnikërísë së martirizuar shqiptare shpirtin e saj bujar e tolerant ! Dukej që ky historian i gënjeshtrës komuniste, ndihej i poshtëruar nga mirësia e viktimave të komunizmit. Madje, sikur fisnikëría e tyre ia kish rrëmbyer madhështinë e një komunisti të dështuar. Megjithatë, që Rexhep Qosja të jetë enverist, është e drejta e tij, ashtu siç kanë të drejtë ta çmojnë dhe dekorojnë atë gjithë socialistët “liberalë” të Edvin Ramës. Se nuk i ha meraku martirët e lirísë pse ky “akademik” i mizorísë shfaqet si mbrojtës fanatik i një Bruti. Madje, ata që kurrë nuk kërkuan hakmarrje, i japin dhe të drejtë këtij “artisti” që dhe t’i urrejë pse po shfaqen sot kaq atdhetarë, sa, për hir të demokracisë, po i kurojnë plagët e tyre me melhemin e vëllazërímit e të shqiptarizmit. Bilé, martirët e demokracísë e lejojnë Rexhep Qosen të jetë edhe i mërzitur pse diktatura i la këta gjallë ! Të revoltohet, madje, edhe kundër vetë demokracisë, e cila, duke dashur të zbardhë të vërtetën historike, po çmon sot kontributin real edhe të shumë bejlerëve dhe pashallarëve patriotë. Se është edhe e drejta e historianit Rexhep Qosja, këtij klasori cinik, të paragjykojë gjithë atdhetarët, t’u mohojë edhe titanëve të pavarësísë vlerat e tyre historike ! Kurse, martirëve të demokracisë sikur u vjen keq që shkrimtari Rexhep Qosja të mos i ngjajë pak tregimtarit të madh Anton Çehovit, i cili pati thënë : “Pashë vuajtjen dhe u bëra njerí !“. E mëshirojnë ata këtë pseudoeuropian, që nuk pranon të dëgjojë as zërin përdëllyes të botës së qytetëruar, e cila sugjeron që ndaj viktimave të diktaturës të tregohet respekt e mirënjohje. Sidomos kur Rexhep Qosja, artisti i ndjenjave njerëzore, u tregon viktimave vlerat e një satrapi, që u grabiti atyre rininë, pronën, dinjitetin, madje, edhe jetën ! Ndaj Shqipëría e vuajtur ka të drejtë të pyesë : “Si ka mundësí që një shkrimtar të mos tregojë një pikë dhembshuríe ndaj viktimave, që sot vetëm duhen përdëllyer ?!... Se nuk është e mundur të mos e kuptojë Rexhep Qosja që, duke i atribuar depersonalizuesit të Shqipërísë merita, poshtëron, edhe qëndresën heroike të martirëve të demokracísë, edhe tolerancën e tyre fisnike!? Në një kohë kur “akademikut” shqiptar i duhej, të paktën, të heshtëte. Të heshtë, madje, për aq kohë sa vazhdoi tirani Enver Hoxha të përdhunonte Shqipërínë! Dhe jo të brohorasë krenar që ky “lakuriq nate”, paska zhdukur analfabetizmin, bilé, në një kohë që njerëzimi ngjitej në kozmos. (!) Jo të mburret me gangsterin, që shndërroi në skllevër tre milion shqiptarë. Jo të krekoset me një xhelat që, duke hequr ca kacidhe nga buka e një populli fukará dhe, pasi ndërtoi sa deshi tunele, bunkerë, vendstrehime dhe bleu qindra mijë tónë municione të panevojshme, na paska sjellë dhe ca fabrika, punishte të lyera me bojë. Paska prurë edhe shumë dritë për të dalluar shqiptarët sherbetin e kripës, kur të ngjyenin atje misërniken e çembrionizuar! Paska përhapur edhe shkollat e gënjeshtrës dhe paska shndërruar kishat e xhamitë në “klube”, ku u ngrinte akuza false patriotëve të mëdhenj të Shqipërísë! Paska inauguruar edhe shtëpi kulture, ku u mësonte bashkatdhetarëve të vet artin e frikës e të hipokrizisë, të servilizmit e të spiunllëkut. Të ketë harruar, vallë, Rexhep Qosja se ku do të kishte mbërritur Shqipëría, sikur të ishte qeverisur nga apostujt e shqiptarizmit? Të mos i jetë kujtuar, vallë, se si i shkatërroi Enver Hoxha doket dhe zakonet e bukura të shqiptarit, kur zëvendësoi besën me pabesinë, mikpritjen me denoncimin? Mos, vallë, i dolën nga mendja fëmijët e vdekur nga uría internimeve? Apo t’i ketë harruar historiani shpronësímet, grabitjen e vathëve të nuseve shqiptare, ndalimin e letërsisë klasike, izolimin nga bota, dënimin e komenteve të thelluara letrare, pushkatimin e shkrimtarëve të vërtetë? Mos, vallë, nuk i është kujtuar gjenocidi i llahtarshëm, përçarja e kombit, urrejtja e paarsyeshme, mohimi i shkollimit, torturat e Sigurimit, poshtërimi i atdhetarëve të mëdhenj të Shqipërísë? Jo! Për Rexhep Qosen asgjë nuk duhet të ketë rëndësí përpara lartësimit të figurës së një maskarai si Enver Hoxha! Se, sipas tij, para këtij antishqiptari, edhe brezat që vijnë, duhet të gjunjëzohen! Sepse ai, që tentoi t’i depersonalizonte shqiptarët, t’i zhvishte ata edhe nga çdo ndjenjë njerëzore, e meritoka edhe ripushkatimin e atyre, që ekzekutoi dje pa faj! Ndoshta prandaj shqiptarët u çuditën se si mund të vegjetojnë ende sot mbi tokën arbërore historianë, që të çmojnë periudhën më të zezë të historisë së tyre! Të ketë edhe letrarë, që të lumturohen duke u evokuar shqiptarëve “lumturínë” e bunkerit, të netëve pa gjumë nga uría, të turpin për duartrokitjet e tyre të detyruara ndaj një horri? Jo! Rexhep Qoses duhet t’i vijë pak turp nga vetja, edhe vetëm po të mendojë një çast mirë për një demon si Enver Hoxha!