E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Gjithçka për t'u përballur me trafikun e krimin

VLORË- Në kuadrin e projektit "Për kontrollin e kufijve blu", Bashkimi Europian dhuron 7 mjete të reja lundrimi, në shërbim të rojes bregdetare në Vlorë. Ky projekt me një vlerë prej 3.2 milionë euro synon fuqizimin e policisë kufitare shqiptare për forcimin e kontrollit të kufijve detarë. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishte i pranishëm Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Ambasadori i delegacionit të KE-së në Shqipëri, Ettore Sequi.

Kryeministri Berisha siguroi se këto mjete do të përdoren me profesionalizëm të thellë për ti bërë vendet tona më të sigurta. Duke vlerësuar bashkëpunimin me vendet mike në lufën kundër trafiqeve të paligjshme, Berisha theksoi se është në detyrën tonë të bëjmë gjithçka dhe të përballemi në mënyrë eficente me krimin.

"Qeveria ka investuar dhe unë kam bindjen e thellë se ju do të shndërroheni në njësinë model, efiçente në luftën kundër trafiqeve dhe kriminalitetit në det. Këtu pak milje nga ne ndodhet Kanali i Otrantos që për vite e vite u bë për shqiptarët simbol i fatkeqësive dhe dramave të mëdha njerëzore, por këto vite shqiptarët nuk kanë humbur më jetën në detrat e tyre”, vijoi më tej Berisha.

SEQUI: LUFTA KUNDËR TRAFIQEVE, SFIDË NDËRKOMBËTARE
Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, vlerësoi se ndihma dhe mbështetja e BE-së për Shqipërinë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. “Kontrolli kufitar dhe lufta kundër trafiqeve është një sfidë ndërkombëtare”, cilësoi Sequi, ndërkohë që shtoi se, liberalizimi i vizave tregon rritjen e standardeve në mbrojtjen e kufijve detarë dhe tokësorë”.

“BE do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë, por është vendosmëria e autoriteteve shqiptare që do të bëjë që kjo mbështetje të jetë e qëndrueshme”, vijoi ai.

NISHANI: LUFTA KUNDËR TRAFIQEVE PRIORITET I QEVERISË
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, i pranishëm në ceremoni theksoi se lufta kundër trafiqeve të paligjshme është prioritet për institucionin që ai drejton dhe për qeverinë.

Duke sjellë një shembull të rezultateve të arritura në këtë drejtim, zoti Nishani theksoi se, “në vitin 2004, policia italiane bllokoi dhe sekuestroi një sasi prej 1050 kg lëndë narkotike të llojit heroine me origjinë nga brigjet shqiptare, ndërkohë që në vitet 2009, 2010 dhe 2011, kjo shifër ka arritur në 10 kilogramë”. Ai garantoi se, forcat e policisë do të rrisin më tej performancën e tyre.
(m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Berisha: Gjithçka për t'u përballur me trafikun e krimin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›