Berisha: Gratë e PPE mbështetën PD në ditët më të vështira

TIRANË, 29 mars/ATSH/- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mori pjesë sot në konferencën ndërkombëtare me bordin ekzekutiv të Forumit të Grave në EPP, me temë: ‘Fuqia e Grave në Politikë’.
Berisha shprehu mirënjohje për gratë e PPE-së, si: Rosalia Biro’, Albana Vokshi, Mariya Gabriel, Doris Pack, etj., për mbështetjen që i dhanë PD-së gjatë periudhave të vështira.
Ai përgëzoi zonjat e PPE-së si luftëtare të pamposhtura dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj PD-së dhe kauzës së lirisë. “Mrënjohje të veçantë për të gjitha ju sepse në një proces kafkian që pësoi PD, në të vetmen narkodiktaturë të instaluar në Europë, presidenca e gruas së PPE, presidentja e nderit zonja Doris Pack dhe ju zonja të nderuara, keni dhënë mbështetjen tuaj për PD-në, për gruan demokratike, që luajti dhe luan një rol të jashtëzakonshëm në betejën kundër këtij regjimi, të cilin Europa nuk e ka njohur në historinë e vet. Është narkoshteti i parë që instalohet në Europë”, tha Berisha.
Sipas tij, ndërtimi i këtij regjimi u mbështet nga administrata e shkuar e SHBA, por në njëfarë mënyrë u bekua me heshtje edhe nga BE.
“Dhe kjo bëri që narkodiktatori i këtij vendi të shëtisë në Europë dhe botë me atlete të bardha, të hiqet si piktor apo sportist, në një kohë kur ai ishte personi që arrestonte tre liderë të opozitës në projektin e tij Shqipëria pa opozitë. Dhe jo vetëm i arrestonte ata tre liderë, por njërin prej tyre e brutalizonte në mënyrën më të dhunshme nën kamera, duke e filmuar, vetëm për të shfryrë hakmarrjen e tij ndaj kundërshtarit dhe për të terrorizuar popullatën”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha vlerësoi këtë organizim si një mbështetje të rëndësishme për PD-në dhe lirinë në vend. /a.g/