Berisha: Grupe pune për verifikimin e familjeve në nevojë
TIRANE- Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, kryeministri Berisha ka bërë të ditur se shumë shpejt do të ngrihet një grup ndëradministror pune për të evidentuar familjet në nevojë, të cilat vuajnë urinë. Berisha ka hedhur kritika kundrejt pushtetit vendor duke e fajësuar për neglizhencë në evidentimin dhe dhënien e ndihmës për këto familje. Sipas Kryeministrit, Bashkia nuk ka dhënë ndihmë për këto familje , madje nuk di që ekzistojnë “shumë njerëz të cilët vuajnë nga varfëria ekstreme”. Berisha i ka kërkuar Ministrit të Financave të alokojë menjëherë një fond të posacëm për fillimin e punës nga ana e grupit ndëradministror dhe për ndihmesën e këtyre familjeve.
Gjatë mbledhjes së sotme , Kryeministri ka folur edhe për prokurorimet elektronike, duke siguruar faktin se viti 2009 do të jetë viti i përmbylljes së kësaj nisme. Sipas Berishës prokurorimet elektronike do të shërbejnë si mundësi e mirë për të luftuar korrupsionin. Madje ai ka theksuar se pa prokurorim elektronik nuk do të ketë fonde për Bashkinë.
(e.n/Balkanweb)