E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Hapja e kutive, jashtë çdo diskutimi

Kryeministri Sali Berisha është njeriu më i interesuar për hyrjen e opozitës në Kuvend, ndaj ai do të bëjë gjithçka brenda kuadrit ligjor që PS-ja të zërë vendet që i takojnë në sallën e këtij institucioni. Por e vetmja çështje që nuk negociohet dhe që nuk mund të shtrohet për diskutim as në tryezën e pritshme me kreun e shtetit, Bamir Topi, është pikërisht çështja e rinumërimit të votave, hapja e kutive të 28 qershorit. Këtë Kryeministri Berisha e argumenton me faktin se askush nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave, gjë të cilën e ka bërë të ditur edhe Këshilli i Evropës përmes rezolutës së Asamblesë Parlamentare. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, bëri dje publik qëndrimin që do të mbajë në tryezën me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, ndërsa pohoi në mënyrë të qartë se hapja e kutive është e pamundur. Në një intervistë për “Top Channel”, kreu i qeverisë theksoi se hapja e tyre është jashtë çdo diskutimi, për shkak të vendimit të gjykatës. Ai vuri në dukje se rezoluta e KE-së do të zbatohet në çdo pikë të saj, ndërsa i bëri sërish thirrje opozitës që të hyjë në Kuvend. Për sa i përket negocimit me z. Topi dhe uljen në tryezë me kryesocialistin Edi Rama, ai pohoi: “Kushdo që do që të kontribuojë në zgjidhjen e çështjes, unë e kam mirëpritur, jam gati të takohem me z. Rama në çdo kohë”. Z. Berisha u shpreh më tej: “Do të plotësoj çdo pikë të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, - por sipas tij, rezoluta nuk përfshin hetimin e zgjedhjeve me hapjen e kutive. Për Berishën hapja e kutive është e pamundur dhe jashtë çdo diskutimi për shkak të vendimit të gjykatës.
“Garantoj se atë rezolutë qeveria është e gatshme ta zbatojë. Ashtu siç është ajo, pa asnjë hezitim. Rezoluta është një mesazh i qartë. Çështja nuk trajtohet hapen apo s’hapen kutitë, por që vendimet e gjykatave nuk mund të përdoren politikisht”, - u shpreh z. Berisha. Duke konfirmuar qëndrimin e tij se kutitë nuk hapen, Kryeministri në mënyrë të qartë pohoi se presioni i opozitës së Ramës përmes protestave është i papërfillshëm.
“Protestat janë mjeti i vetëm që nuk më bën absolutisht presion. Megjithatë, jam thellësisht i interesuar që t’i shoh deputetët e PS-së në Parlament”, - deklaroi kryeministri i vendit, Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›