E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: S’ka karrige për Ilir Metën në tryezë

Kreu i PS-së, Edi Rama, shfaqi dje një sjellje pak më të moderuar ndaj dialogut me mazhorancën dhe foli për mundësinë e ndërprerjes së bojkotit, duke pranuar se nuk do të vendosë kusht hapjen e kutive për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. Por ai theksoi se do të ulet në këtë tryezë me një qëllim të vetëm, hapjen e kutive nëpërmjet një komisioni parlamentar hetimor, i cili të mos ketë objekt të kufizuar hetimi. “Ne nuk kemi vënë kusht hapjen e kutive për t’u ulur në tryezë, por do të ulemi në tryezë për të hapur kutitë”, - tha dje Rama në një konferencë për shtyp. Kësisoj Rama ka bërë një hap pas në gjuhën e përdorur, duke pranuar gjithashtu se në momentin që do të ndodhë kjo, PS do të kthehet në Kuvend deri në momentin kur verdikti i popullit të flasë përsëri. Rama ndërkohë ka sulmuar ish-aleatin e tij, tashmë aleat në qeverisje me PD-në, kreun e LSI-së, Ilir Meta, duke thënë se për të s’ka karrige në këtë tryezë e gjithashtu ka bërë ironi për qëndrimet e 5 deputetëve socialistë që janë kundër bojkotit. Duke komentuar mundësinë e pjesëmarrjes së Metës në këtë takim që pritet të mbahet me kërkesë të Presidentit, Rama tha se “mjafton Saliu që i ka në prehër dhe nuk kanë nevojë të kenë karrige vetë ata. Të flasësh ende për LSI është si ... (qesh) ajo që kaq rëndësi është që ne të shkojmë në tryezë që çështjen ta zgjidhim vetë. Ne e kemi kërkuar dialogun me vullnetin që çështjen ta zgjidhim me dialog”. Ndërsa për kolegët e partisë, Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami, Marko Bello e Andis Harasani, kryetari i PS-së ka bërë ironi për jetëgjatësinë e tyre në parti, duke thënë se “nuk më rezulton të jenë aq të vjetër dhe për vetë faktin që janë të rinj akoma besoj se nuk është e nevojshme që të shqetësohemi për ata. Çdo njeri aq më tepër në moshën kur është i përgjegjshëm përpara Shqipërisë e ka në dorë votën e vet”. Edhe një herë tjetër, Rama ka bërë të ditur se nuk do të digjen mandatet e deputetëve të PS-së pa sqaruar mënyrën se si nuk do të digjen, kur Kushtetuta e parashikon qartë një gjë të tillë pas 6 muajsh mungese. “Mandatet e PS nuk digjen. Të gjithë kolegët, jo aq të vjetër, por edhe me të rinj, e kam thënë që është e kotë bashkë me Fatosin dhe Ilirin mund ta dëshirojnë shumë që kur ne të festojmë më 7 mars, ata të nxjerrin grepat nga pjesa e turkut në fund të listave për të gërmuar deputetë që t’i çojnë në Parlament që të betohen për Evropën dhe integrimin, e për ta lënë opozitën jashtë, por është një dëshirë që nuk ua plotësojmë dot. Është e kotë që ka një investim kaq të madh, sepse nuk ka asnjë shans që të digjen”, - deklaroi ai, duke sulmuar kështu dhe paraardhësin e tij në parti. Por bojkotin edhe ai vetë e ka kritikuar, duke e cilësuar si një zgjidhje të vetme të opozitës. “Së pari, bojkotin e kanë kritikuar dhe do vazhdojnë ta kritikojnë. E kam thënë unë qysh më parë se bojkoti nuk është një gjë e ëmbël për askënd, është një ilaç i hidhur për të kuruar një sëmundje të rëndë”, - tha ai. Ndërkaq kryesocialisti ka shfaqur dhe anën tjetër të opozitës, duke thënë se do të vazhdojnë protestat kundër qeverisë dhe ka paralajmëruar një sërë takimesh në rrethe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›