E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Hebrenjtë, kultet e tyre, edhe në Shqipëri

Komuniteti hebraik do të jetë i mirëpritur të zhvillojë besimin dhe kulturën e tij dhe se çdo besim në Shqipëri mund të ndërtojë institucionet e veta të kultit. Kjo, për faktin se qeveria shqiptare mbështet dhe do të mbështesë gjithmonë lirinë e besimit. Kryeministri Berisha, gjatë vizitës së tij në Bruksel, u prit në një takim në selinë e Këshillit Evropian të Rabinëve nga një përfaqësi e lartë e komunitetit hebre në Evropë që kryesohej nga Rabini Levi Matusof, drejtor në Këshillin Evropian të Rabinëve. Përfaqësuesit e Këshillit Evropian të Rabinëve falënderuan Kryeministrin Berisha për vizitën si dhe shprehën mirënjohjen e tyre për mbështetjen dhe ndihmën e madhe që shqiptarët i kanë dhënë komunitetit hebre në Shqipëri, duke strehuar dhe shpëtuar shumë prej tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata nënvizuan se aktiviteti i tyre ka për qëllim rigjallërimin, promovimin dhe mbështetjen e komunitetit hebre në Evropë, duke shprehur dëshirën e tyre që edhe në Shqipëri të kishte objekte të kultit të tyre si dhe një përfaqësues. Përfaqësuesit e Këshillit Evropian të Rabinëve, duke uruar që Shqipëria të realizojë sa më shpejt ëndrrën e saj evropiane, u shprehën se komuniteti hebre si dhe Këshilli Evropian i Rabinëve, përmes organizmave të tij, do të promovojnë dhe mbështesin procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›