Topi në Maqedoni: Bashkëpunimi ekonomik të arrijë atë politik
Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve fqinje, Maqedonisë dhe Shqipërisë, duhet të arrijë stadet e bashkëpunimit politik. Shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Maqedonisë janë të kënaqshme, por jo në ato standarde ku aktualisht gjendet bashkëpunimi politik dypalësh. Ky është mesazhi i përbashkët i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, dhe Presidentit maqedonas, George Ivanon, që kanë përcjellë në kuadër të marrëdhënieve fqinjësore të mira mes dy vendeve. Dy presidentët ishin dje të pranishëm në hapjen e forumit ekonomik të biznesit maqedonas-shqiptar. Forumi u mbaj në Shkup dhe morën pjesë përfaqësues të bizneseve të rëndësishme të të dyja vendeve. Ka ende nevojë për të punuar në drejtim të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit ekonomik shqiptaro-maqedonas në ato standarde ku aktualisht gjendet bashkëpunimi politik bilateral, - nënvizoi Presidenti Topi në fjalën e tij përshëndetëse. Ai vuri në dukje resurset e rralla natyrore që kanë dy vendet tona dhe bëri apel që dy vendet duhet të tregohen të kujdesshme, rigoroze në hartimin dhe zbatimin e strategjive që do të mundësonin zhvillimin e turizmit dhe ruajtjen e ekosistemit, - bën të ditur faqja zyrtare e Presidentit shqiptar. Kreu i shtetit u ndal edhe në disa prej projekteve konkrete të shtetit shqiptar për përmirësimin e hapësirave infrastrukturore në vend, për të cilat vuri në dukje se së bashku me mundësitë që rrjedhin nga liberalizimi i lëvizjes së lirë, do të kontribuonin në rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve tregtare bilaterale dhe rajonale, po ashtu dhe në krijimin e ridimensionimin e bashkëpunimit ekonomik. Topi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e energjitikës për krijimin e një sistemi energjitik integral, bashkëpunimit ndërkulturor, në fushën e turizmit, bujqësisë, etj. Edhe Presidenti maqedonas Ivanov ndau të njëjtin mendim me Presidentin Topi për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dypalësh, duke shprehur besimin se ky do të ishte një kontribut mjaft i rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme dhe thellimin e forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë. Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Maqedoni, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi dje Tetovën, ku u ndal në universitetin e këtij qyteti dhe më pas bëri një vizitë edhe në Komunën e Dibrës ku mori titullin Qytetar Nderi.