E Diel, 1 Nëntor 2026

Niset në Kabul Kontigjenti i 16-të Paqeruajtës Shqiptar

Kontigjenti i 16 Paqeruajtës Shqiptar u nis dje drejt Kabulit. Për këtë u zhvillua dje në Komandën e Forcave Tokësore në Zall-Herr ceremonia e nisjes ku ishte i pranishëm zv.ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia; zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, kundëradmiral Kristaq Gerveni; komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade Viktor Berdaj; ushtarakë të tjerë të lartë të Forcave të Armatosura, si dhe familjarë e të afërm të paqeruajtësve dhe atasheu ushtarak e shefi i Zyrës së Koordinimit dhe Bashkëpunimit Ushtarak të Turqisë në Tiranë, kolonel Saim Bagci. Pas fjalës së hapjes, që mbajti komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade Viktor Berdaj, të pranishmit i përshëndeti zv.ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia. Është një kënaqësi e veçantë për mua, - tha ai në fjalën e tij, - që sot marr pjesë në ceremoninë e përcjelljes për në Kabul të Kontigjentit të 16-të Paqeruajtës dhe me këtë rast ju sjell përshëndetje edhe nga ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Maksim Malaj. Forcat Tokësore, - vijoi më tej zv.ministri Spahia, - tashmë kanë fituar një përvojë mjaft pozitive në operacionet e paqes si në Irak, Afganistan në Çad etj., si dhe kanë përfaqësuar në mënyrë të denjë FA Shqiptare për krah trupave të NATO-s dhe forcave të tjera aleate. Z. Spahia falënderoi Turqinë dhe FA Turke për mbështetjen dhe ndihmën që kanë dhënë në dobi të Shqipërisë dhe sidomos të FA Shqiptare në rrugën e tyre të modernizimit dhe të integrimit në strukturat e NATO-s. Më pas, zv.ministri Spahia falënderoi familjarët dhe të afërmit e kontigjentit paqeruajtës për mbështetjen që u kanë dhënë dhe u japin bijve të tyre për kryerjen me nder të misionit të tyre fisnik në mbrojtje të lirisë dhe paqes. Në përfundim të fjalës së tij, z. Spahia u uroi 22 ushtarakëve paqeruajtës udhë të mbarë dhe suksese në kryerjen e misionit të tyre në Kabul të Afganistanit. Zv.ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia, i dorëzoi flamurin kombëtar komandantit të Kontigjentit të 16-të, toger Novrus Cako. Kontigjenti i 16-të Paqeruajtës është pjesë e Batalionit të Motorizuar të Forcave Tokësore dhe në përbërje të tij janë 22 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë. Ky kontigjent do të zëvendësojë efektivin e Kontigjentit të 15-të dhe do të shërbejë për ruajtjen dhe mbrojtjen e bazës ushtarake në Kabul, si dhe operacione të tjera siguruese e stabilizuese në këtë zonë të Afganistanit. Ushtarakët shqiptarë që kanë shërbyer me misione paqeruajtëse në Afganistan, kanë kryer me profesionalizëm dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie detyrat e ngarkuara dhe për këtë kanë marrë vazhdimisht vlerësime maksimale nga komandat operacionale, në juridiksionin e të cilave kanë shërbyer, duke ngritur më lart emrin dhe krenarinë e FA Shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›