E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi, Meta: Opozita ti largohet sjelljes antievropiane

Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, apeloi dje për bashkëpunim gjithëpërfshirës për anëtarësimin në BE, për të cilin ftoi opozitën që të japë kontributin e saj. Meta e vlerësoi moment historik dorëzimin e përgjigjeve të pyetësorit të Shqipërisë në Bruksel. Sipas tij, Shqipëria e meriton liberalizimin e vizave dhe theksoi se duhet thelluar bashkëpunimi në Kuvend dhe jashtë tij për integrimin e vendit në Bashkimit Evropian. Meta i bëri thirrje opozitës të ndjekë rrugën institucionale për të zgjidhur problemet, si e vetmja mënyrë për të ecur përpara. Numri dy i qeverisë, duke folur për zgjedhjet lokale, theksoi se ato do të zhvillohen në kohë dhe do të ishte gabim shumë i madh nëse dikush do të mendonte të rrinte në krye të bashkisë apo komunës përtej mandatit kushtetues. Po ashtu, Meta u shpreh se çdo përpjekje për të dëmtuar imazhin e vendit në mënyrë artificiale apo për të përhapur panik për situatën ekonomike, dëmton qytetarët shqiptarë. Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, dorëzimin e përgjigjeve të pyetësorit të Shqipërisë në Bruksel, e cilësoi kapërcim të vendit në një stad të ri, Meta vuri theksin në një bashkëpunim gjithëpërfshirës në dobi të integrimit të vendit. Numri dy i qeverisë i bëri thirrje opozitës të bashkëpunojë në këtë proces, duke ofruar edhe ekspertët e saj. Tani është koha që këtë stad të ri ta shfrytëzojmë të gjithë, në mënyrë që të forcojmë bashkëpunimin në drejtim të procesit të integrimit evropian, duke filluar nga Parlamenti, por edhe jashtë tij. Është e pakuptueshme që opozita të mos ushtrojë përgjegjësitë e saj në drejtim të integrimit të vendit. Ne i ftuam edhe kur erdhi pyetësori që ata të angazhoheshin edhe me ekspertë, - u shpreh Meta. Duke u ndalur në procesin e liberalizimit të vizave, Meta u shpreh i sigurt se shqiptarët shumë shpejt do të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian. Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, tha se pas dorëzimit të pyetësorit në Bruksel, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian hyjnë në një faze të re. Nuk kemi të bëjmë më me çështje afatesh, por me cilësinë e procesit, - tha Meta teksa ftoi opozitën që të bashkëpunojë dhe ti largohet sjelljes antievropiane. Këtë moment të ri ta shfrytëzojmë të gjithë, në mënyrë që të forcojmë bashkëpunimin në drejtim të procesit të integrimit evropian, duke filluar nga Parlamenti, por edhe jashtë tij, që ky të jetë një proces sa më gjithëpërfshirës. Ju keni dëgjuar që në 30 prill do të hapen kutitë. Këto gjëra nuk bëhen në këtë mënyrë. Është vërtet jopozitive që ekziston ende filozofia e imponimit në mënyrë jo të arsyeshme dhe e sfidës ndaj institucioneve, - deklaroi z. Meta. I pyetur se përse nuk ishte pjesë e delegacionit shqiptar, shefi i diplomacisë u përgjigj: Nuk mund të shkojë e gjithë qeveria për një moment, i cili natyrisht që është shumë i rëndësishëm dhe qeveria është përfaqësuar në nivelin më të lartë, me Kryeministrin Berisha. Z.Ilir Meta konfirmoi se do të jetë gjatë këtij muaji në Bruksel me një axhendë të ngjeshur, e cila ka të bëjë me çështje të integrimit dhe liberalizimit të vizave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›