Berisha: Hetim pa prova nuk pranoj kurrë. Vota nuk preket
Kryeministri Sali Berisha tha se kryetari i PS-së, Rama nuk e do komisionin hetimor. Ai u shpreh i gatshëm që të bashkëpunojë me opozitën për një kërkesë të re për hetim zgjedhjesh, por vetëm nëse ndiqen të gjitha procedurat ligjore.
TIRANË “Hetim pa prova nuk mund të bëhet kurrë. Vota nuk mund të preket”. Me këtë qëndrim e mbylli dje Kryeministri Sali Berisha analizën njëvjetore të qeverisë së tij, plot 24 orë pas rrëzimit nga mazhoranca të kërkesës së opozitës për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Në një konferencë të posaçme për mediat, kreu i ekzekutivit cilësoi heqjen e vizave si arritjen më të madhe të qeverisë së tij, ndërkohë që në çdo fjali të tij,
ai ka akuzuar opozitën se ka qenë penguese për këtë proces, duke kthyer në të njëjtën kohë përgjigje edhe për qëndrimin e mëtejshëm, që kjo mazhorancë do të mbajë lidhur me hetimin e zgjedhjeve. Kreu i ekzekutivit është thumbuar nga përfaqësues të medias, lidhur me hetimin e zgjedhjeve, një e drejtë kjo e opozitës, duke iu referuar një tjetër komisioni hetimor të mëparshëm, atij “Olldashi”. “As në opozitë, asnjëherë, në asnjë vit kurrë nuk kam menduar se dikush mund të pretendojë të hetojë pa fakte prova apo grupfakte. Është e vërtetë për komisionin Olldashi, por komisioni Olldashi është bazuar në denoncime flagrante publike dhe në prokurori të bëra nga qytetarët, të bëra nga zyrtarë nga ministra të Partisë Socialiste e konkretisht Ministrja e Kulturës znj.Dade, e cila kishte nisur disa dosje në prokurori. Pra i nderuar zotëri, komisioni Olldashi u bazua mbi dosje, dokumente, fakte që dëshmonin dhe provonin shpërdorimin abuzimin e z. Edvin Fasada, siç e quaja unë në atë kohë sepse ishte bërë baterdia me fasadat. Vërtet unë e etiketoja, por dosjet i kishte dërguar znj. Dade në Prokurori, jo unë”, - tha dje kryeministri. Kreu i ekzekutivit shtoi se, opozita 10 herë e ka pasur shansin të ketë komisionin. “Ditën e enjte që kaloi, të zënë ngushtë para faktit se nuk mund të kërkosh hetim pa fakte dhe pas një diskutimi që bënë pranuan, formuluan të vendoset fakti, sikurse unë kërkova vendosjen se kjo është gjë shumë primitive. Si mundet një njeri të thotë të hetoje pa fakte. E pranuan. Ajo ishte një orë e vonë fatkeqe për ta, se me asnjë mjet nuk arritën të komunikonin dot me kreun e tyre. Kërkuan shtyrjen për të hënën, ua pranuam. Çfarë sollën? Mbrëmë shqiptarët e panë. Sollën maskën. Kishin zëvendësuar fjalën hetim me fjalën kontroll. Nuk është komision kontrolli ky. Me Kushtetutë është atribut i komisioneve të përhershme dhe unë po të garantoj që deputetët e opozitës në komisionet e përhershme nuk do të kenë asnjë kufizim në kontroll. Por hetimi, neni 77 i kushtetutës e zezë mbi të bardhë i jep një atribut shtesë deputetëve të vendit, legjislativit, i jep hetimit. Nuk mund të bësh atë që bënë ata, të thonë me këtë nen të bëjë kontroll. Ky nen thotë hetim”, - tha Berisha duke i shtuar këtij argumenti faktin se opozita nuk e do komisionin hetimor. “Absolutisht Z.Rama nuk e do komisionin. Pse nuk e do? Faktoi Shkodra. Gabimi njerëzor është gabim njerëzor. Të numërosh mijëra vota në çdo doktrinë ka një përqindje gabimi të pranueshme, por ajo që doli në Shkodër është gabimi më teorik, që mund të bëhet. Një votë. Opozita duhet të ketë nderin të pranojë se shqiptarët nga halli apo malli vendosën një standard, që nuk ekziston kurrkund. E mbroj dhe absolutisht është e domosdoshme që të bëhen universale. Cili është? Numërimi, filmimi, fotografimi i votës”, - tha Kryeministri, qëndrimi i të cilit shkoi tej aq sa edhe vendet e tjera duhet të merrnin shembull nga ne. “Kur e bëri Shqipëria, çdo vend mund ta bëjë. Nuk kushton kaq shumë, ama kërkon integritet tek njerëzit. Se ti zotëri që pretendove se Shkodra është katrahura dhe demokratët bëjnë baterdinë, në një proces të ndërtuar me kamera nga prokuroria, lëvizi vetëm një votë”, - tha Berisha. Edhe pse i mëshoi shumë faktit se nuk ka hetim pa fakte, kreu i ekzekutivit u shpreh i gatshëm të pranonte një kërkesë të re të opozitës, por vetëm duke ndjekur dhe respektuar procedurat ligjore. “Urdhëro, heto. Heto çdo votë. Numëro çdo votë, por gjej procedurën ligjore dhe jo të dalë ligji jam unë”, - tha ai