E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djegia e fletëve, sot vendimi në KQZ

SHKRUAN: Fejzi Braushi 29-12-2010 12:03

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të vendosë për fatin e fletëve të votimit, pas shqyrtimit të projekt-vendimit që parashikon pastrimin e kutive

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendos sot për fatin e fletëve dhe materialeve zgjedhore. Mbledhja që është paralajmëruar që prej disa ditësh pritet të marrë në shqyrtim projektvendimin, i cili parashikon hapjen e kutive të materialeve dhe fletëve të votimit dhe pastrimin e tyre për të qenë gati për zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit. Në projektvendimin e saj, i cili është një ripunim i projektit të paraqitur një herë më parë edhe gjatë muajit tetor, KQZ vlerëson se në kushtet e pragzgjedhjeve të ardhshme vendore dhe duke qenë se afatet për ankimimet për zgjedhjet e shkuara parlamentare kanë përfunduar me kohë, duhet të realizohet hapja e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore, si dhe seleksionimi i dokumentacionit dhe materialit zgjedhor të gjetur brenda tyre, si detyrim ligjor, në përputhje me përcaktimet e nenit 178 të Kodit Zgjedhor. KQZ parashikon në projektvendimin e saj një sërë hapash që do ndërmerren për procesin e hapjes së kutive, dhe bërjen e tyre gati për zgjedhjet e ardhshme. Kështu, KQZ do të hapë kutitë e votimit dhe kutitë e materialeve zgjedhore të përdorura në Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 28 qershor 2009, proces i cili parashikohet të fillojë menjëherë sapo të merret vendimi dhe të mbyllet brenda muajit shkurt të vitit 2011. Për hapjen e kutive dhe administrimin e dokumentacionit zgjedhor dhe materialeve brenda kutive të votimit, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, me urdhër të brendshëm do të ngrejë komisionin për hapjen e kutive të votimit, i cili do të jetë përgjegjës për seleksionimin dhe administrimin e dokumentacionit zgjedhor, të parashikuar në nenin 178, pika 6 të Kodit Zgjedhor, i cili do t’i dërgohet Arkivit Qendror të Shtetit, seleksionimin e materialeve që mund të ripërdoren si dhe për procesin e djegies së fletëve të votimit dhe kundërfletëve. Për të realizuar këtë proces, KQZ ka parashikuar të marrë 48 punonjës si personel shtesë, 1 500 litra benzinë për djegien e fletëve të votimit dhe transportin e kutive dhe materialeve të tjera zgjedhore që duhet të arkivohen. Por ndryshe nga projekti i mëparshëm i publikuar në shtator, KQZ kësaj here nuk parashikon ose nuk merr si praktikë që duhet zbatuar vendimin numër 1 të vitit 2006. Ndërkohë që nuk dihet nëse ky projektvendim do miratohet, megjithëse burime pranë KQZ-së, duke iu referuar situatës politike të ditëve të fundit, kanë bërë të ditur se mundësitë më të mëdha janë që anëtarët e djathtë ta kalojnë atë me shumicë votash. F.Braushi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›