Rama: Saliu pranoi vjedhjen e zgjedhjeve, bojkoti s’është opsion
Kryetari i PS-së, Edi Rama, pohoi se partia që ai drejton nuk do të heqë dorë nga transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Zgjedhjet vendore janë tërësisht të rrezikuara, por ne s’e kemi konsideruar kurrë opsion mospjesëmarrjen në to”
Tiranë Vendimi i fundit i Kuvendit, i cili rrëzoi kërkesën për hetimin e zgjedhjeve, duket se nuk i ka stepur socialistët. Këtë të lë të kuptosh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili gjatë bashkëbisedimit jashtë radhe me gazetarët ka konfirmuar vullnetin për të mos hequr dorë nga bërja e transparencës, edhe gjatë vitit të ardhshëm. Në krahun tjetër, ai ka siguruar se refuzimi i mazhorancës për të mos pranuar kërkesën e grupit parlamentar socialist nuk do të ndikojë aspak në qëndrimin e PS-së për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit.
Hetimi
Kreu socialist Edi Rama ka reaguar ashpër dje për vendimin e seancës së fundit parlamentare, ku mazhoranca me forcën e kartonave hodhi poshtë propozimin e grupit parlamentar socialist për bërjen e transparencës së zgjedhjeve të shkuara parlamentare. Sipas tij, ajo që ndodhi në këtë seancë, por edhe qëndrimet e shprehura nga përfaqësuesit e shumicës qeverisëse, treguan qartë se të djathtët nuk janë për transparencën. “Të premten e shkuar Saliu e pranoi faqe gjithë shqiptarëve, kurse mbrëmë e vulosi për faqen e zezë të këtij pushteti të vjedhur, se i ka vjedhur votat më 28 qershor dhe se e vërteta e kyçur në kutitë e materialeve zgjedhore është e tmerrshme, e padurueshme dhe e papërballueshme për të dhe për qeverinë e tij”, - tha Rama gjatë fjalës së vet, duke bërë të ditur në të njëjtën kohë se ky veprim thelloi më tej krizën politike në vend. Ai nuk ka komentuar nëse do të ketë një tjetër kërkesë në Kuvend për zgjidhjen e kësaj krize, por ka theksuar se socialistët nuk do të heqin dorë nga transparenca, as në muajt në vazhdim. “Në fakt, Shqipëria sot ka një opozitë më të vendosur se kurrë dhe më të bashkuar se asnjëherë, që nuk do të heqë dorë nga transparenca dhe herët ose vonë transparenca do të bëhet. Dhe kush ka mbushur kutitë më 28 qershor, do të dalë nga kutitë, sepse Saliu nuk i zhbën dot të vërtetat që kanë materialet zgjedhore dhe ato, do apo nuk do vjedhësi i zgjedhjeve të shkuara, do të bien në duart e publikut herët ose vonë. Qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Bindja jonë sot është edhe më e forcuar dhe beteja jonë edhe më bindëse, sepse pavarësisht vulës që Saliu i vuri dje vërtetimit se i ka vjedhur zgjedhjet dhe kapakut që përkohësisht vuri mbi këtë çështje, opozita nuk do të ndalet. Nuk do të ndryshojë jo vetëm qëndrim, por as edhe fokus. Do të vazhdojë të kërkojë transparencën”, - u shpreh më tej Rama.
Zgjedhjet
Natyrisht beteja për transparencën e zgjedhjeve do të jetë e lidhur me betejën e ardhshme për zgjedhjet e 8 majit. Sipas kreut të PS-së, nuk mund të ketë zgjedhje vendore pa bërë më parë transparencën e zgjedhjeve parlamentare. E megjithatë, kjo duket se ka të bëjë vetëm me një përpjekje të PS-së për të mos lejuar që të zhvillohen zgjedhje në këto kushte dhe jo për një bojkot të tyre. I pyetur nga gazetarët lidhur me këtë çështje, kreu i opozitës ka përjashtuar opsionin e bojkotit të këtyre zgjedhjeve. “Mospjesëmarrjen tonë në zgjedhje e dëshiron Saliu dhe e ëndërron Iliri. Por ky nuk është opsion. Zgjedhjet janë tërësisht të rrezikuara, tërësisht të kërcënuara, tërësisht të komprometuara dhe duke thënë që ne s’e kemi konsideruar kurrë opsion mospjesëmarrjen në zgjedhje, nuk e kuptoj pse e përsërisni këtë pyetje, kur përgjigjja është dhënë me dhjetëra herë, rinënvizoj se ne do bëjmë gjithçka është në dorën tonë që të mos lejojmë që të ketë zgjedhje si ato të shkuarat”, shtoi kryesocialisti Edi Rama.